E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Itali, është takuar të enjten me homologun e tij italian, Franco Frattini, i cili duket se është pajtuar se Kosova duhet të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave gjatë këtij viti. Frattini ka thënë se Republika e Kosovës duhet të marrë sa më shpejtë udhërrëfyesin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, ashtu siç e kanë edhe qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, thuhet se ministri Frattini, po ashtu, ka garantuar përkrahjen e parezervë të shtetit italian për Kosovën në rrugën integruese në Bashkimin Evropian. Shefi i diplomacisë italiane ka përgëzuar Hoxhajn për reformat dhe progresin që ka arritur Kosova pas pavarësimit, duke u shprehur shumë i kënaqur me përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Franco Frattini ka thënë gjithashtu se Italia dhe Kosova do të avancojnë marrëdhëniet ekonomike, duke bërë të ditur se kompanitë italiane janë të gatshme të investojnë në Kosovë. Në takim, të dy ministrat ranë dakort që shumë shpejt në Itali të organizohet një forum biznesi, ku Kosova do të ketë mundësi të prezantojë potencialet dhe mundësitë e tërheqjes së investimeve nga jashtë.

Në anën tjetër, ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij italian për mbështetjen e parezervë të tij dhe vendit të tij për të gjitha proceset në Kosovë, e veçanërisht rreth perspektivës integruese të Kosovës në BE. Hoxhaj, shtoi se shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane. Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kosova dhe Italia do të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha aspektet. Në këtë drejtim, ministri Hoxhaj ka thënë se dy shtetet, në nivel të ambasadorëve, do të krijojnë një axhendë të përbashkët të bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe akademik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›