E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Të mos merren vendime që s’u dihet prapaskena

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka sugjeruar institucionet e vendit që mos të nguten dhe të pranojnë ndonjë marrëveshje rreth përfaqësimit të Kosovës, duke hequr dorë nga fjala republikë.

Këto deklarata i pari i kuvendit i ka bërë, pasi deklaratave të kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Kosova, në nismat rajonale, do të përfaqësohet me fusnotën deklarata e pavarësisë, rezolutën 1244 dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Këto komente, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka bërë pas mbajtjes së mbledhjes së sotme të kryesisë së Kuvendit, gjatë së cilës është vendosur që këtë javë të mos ketë seancë. Seanca e radhës do të mbahet më 1 mars.

I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit të vendit që Kosova të përfaqësohet me fusnotën deklarata e pavarësisë, rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së, Krasniqi ka thënë se kuvendi nuk ka qenë pjesë e këtyre marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka sugjeruar institucionet e vendit që mos të nguten, pasi, siç ka thënë ai, nuk është e qartë prapaskena e tyre.

“Ju e dini që kuvendi në këtë kohë të bisedimeve gjatë gjithë kohëve nuk ka qenë pjesë e marrëveshjeve të arritura, nuk është pjesë edhe as e kësaj çështje së fundit. Por ne sugjerojmë që institucionet e Kosovës, por edhe kuvendi si institucion dhe qeveria të mos të nguten në disa vendime që nuk është krejt e qartë prapaskena e tyre. Megjithatë, ne, si kuvend nuk kemi një dokument zyrtar i cili do të konfirmonte se është arritur një marrëveshje e tillë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Në pyetjen, mos përmendja e fjalës Republikë a nënkupton heqje dorë nga shtetësia, Krasniqi ka thënë se kuvendi nuk ka marr një material bazë në të cilin do të formësohej qëndrimi në këtë çështje.

Deri më tash konkluzione që janë arritur nuk kaluar nëpër kuvend dhe se, sipas Krasniqit, me gjasë edhe kjo marrëveshje që do të arrihet nuk do të kaloj nëpër kuvend, sepse, siç ka thënë ai, është një formulim i tillë që të mos vjen në kuvend.

“Ju e dini që marrëveshjet që janë arritur deri më tani kanë marr formën e konkluzioneve dhe konkluzionet natyrisht janë formësuar në atë mënyrë që mos me ardhur në kuvend dhe me gjasë edhe kjo do të ketë një formulim të tillë që mos të vjen në kuvend”, ka deklaruar ai.

Gjatë mbledhjes së sotme të kryesisë së Kuvendit janë rishqyrtuar kryesisht raporte të komisioneve, ndërsa seancë nuk do të ketë gjatë kësaj jave, por në javën e ardhshme, më 1 mars. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›