Krasniqi: Veriu ndahet, Lugina e Preshevës bashkohet me Kosovën
PRISHTINE- Kreu i Parlamentit Kosovar, Jakup Krasniqi ka deklaruar për mediat kosovare se në rast se veriu i Kosovës ndahet, atëherë shqiptarët e Luginës së Preshevës do të bashkohen me Kosovën. Krasniqi i referohet serbëve të Kosovës të cilët vazhdojnë të sfidojnë ligjin dhe qeverinë kosovare në veri të vendit.Strategjia e qeevrisë së Kosovës dhe zyrës së përfaqësuesit ndërkombëtar civil për veriun e vendit, sipas Krasniqit është shumë e rëndësishme për serbët e Kosovës pasi krijon një komunë të re të Mitrovicës së veriut dhe është një alternativë që mund të funksionojë më së miri në krahasim me situatën aktuale. Krasniqi tha se kjo është në të mirë të Mitrovicës së veriut , që të jetë komunë më vete megjithëse shtoi se nuk beson që kjo të jetë e mundur për momentin. “Krijimi i komunës dhe integrimi i serbëve nuk është thirrje për ndarje por thirrje për bashkim. është një përpjekje për të vendosur paqen dhe rendin. ” theksoi Krasniqi. Ai tha më tej se Lugina e Preshevës ka shprehur dëshirën të bashkohet me Kosovën, ndaj kjo pjesë mund ti shkëputet Serbisë në rast se veriu i Kosovës kërcënon të ndahet. Në fakt ndërkombëtarët duket se nuk do të lejojnë asnjë nga këto ndarje apo bashkime që të ndodhin në të ardhmen duke bërë të qartë se nuk do të ketë më ndryshim kufijsh në Ballkan.(e.n/News24/BalkanWeb)