E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, ditën nxënës të dalluar, natën mbledhin kanace

PUKë- Dy vëllezër dhe një motër, të gjithë të mitur sfidojnë të ftohtin e netëve në Pukë për të siguruar ushqimin e përditshëm. Halili 12 vjec, Dorjani 11 vjec dhe motra e tyre Fabiona 14 vjece, ditën shkojnë në shkollë ndërsa natën enden rrugëve të qytetit të Pukës për të mbledhur kanace. Kështu ata arrijnë të sigurojnë të hollat për vetën e tyre dhe prindërit e papunë. “Kemi vendosur të dalim cdo natë për kanace që të mos lypim. Ne grumbullojmë lekë me ble bukë sepse babi me mamin nuk janë në punë” shprehet më i vogli prej tyre. Varfëria arrin kufijtë kur në shtëpi mbretëron uria , aq sa këta fëmijë detyrohen të harrojnë rrezikun e natës prej të ftohtit e infeksioneve që u kanosen duke kërkuar mes mbeturinave për të gjetur ato që u duhen për të siguruar jetën. Cdo natë dalin të tre bashkë, hera herës të ndihmuar dhe nga i ati , ndërsa në mëngjes duhet të zgjohen herët për të shkuar në shkollë. Ata kanë harruar lodrat e fëmijërisë, nuk munden të luajnë e të argëtohen si bashkëmoshatarët por asnjëherë nuk i harrojnë librat pasi e dinë fort mirë se orët mbi to një ditë do të shpërblehen. Si këta tre fëmijë të rritur para kohe nga fati i pamëshirshëm që u servir vec skamje e varfëri, numërohen në cdo qytet. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›