Krasniqi i kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Jemi pranë një realiteti që u krijua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe pasi që nuk ka vendim të plotë, krejt çka mund të thuhet për momentin është diçka e mirë, pasi po shihet gatishmëria e të gjithë faktorëve për respektimin e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Ai këto komente i bëri të mërkurën pas kthimit nga vizita në Hungari, ku ka pasur takime me zyrtarë të shtetit hungarez me të cilët ka biseduar për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat rajonal dhe evropian.
Krasniqi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në të cilin vlerësohet si jo kushtetues mënyra e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, e ka quajtur si diçka e mirë.
“Tani ne jemi një realiteti, i cili u krijua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, dhe realisht ne nuk kemi një informacion më të plotë dhe nuk e kemi vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, por krejt ajo çka mund të them unë në këto momente ndoshta jo krejt normale, del diçka e mirë, do të thotë gatishmëria e të gjithë akterëve që ishin në këto procese për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Krasniqi.
Duke folur për seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është zgjedhur Begjet Pacolli president, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se seanca ka qenë publike.
“Seanca ka qenë publike dhe njerëzit mund ta verifikojnë se si kanë rrjedhë punët. Unë më nuk mund dhe nuk dua ta vlerësojë punën që kemi bërë në rrethana të ngutshme,mjaft të shpejta po megjithatë unë e respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës “, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, tash pas vendimit të gjykatës ekzistojnë institucionet dhe individët që përgjegjësia është e tyre që t’i marrin vendimet konform Kushtetutës dhe interesit të vendit.
I pyetur nga Kosovapress se a ndjen përgjegjësi që ka udhëhequr një seancë ku është shkelë Kushtetuta e Kosovës, Krasniqi ka thënë se seanca në të cilën është zgjedhur presidenti, është udhëhequr në bazë të stenogramit mbi të cilat mbahen seancat plenare.
“Nuk është çështje e imja. Unë kam udhëhequr një seancë në bazë të stenogramit që kam pas të përgatitur dhe realisht unë i di përgjegjësit e mia konform stenogramit që kam përgatitur dhe asnjë shtesë ose mangësi nuk e kam përdorur përveç asaj që e kam pas me stenogramin mbi të cilat mbahen seancat plenare”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, i pyetur se a do të japë dorëheqje nëse kërkohet një gjë e tillë, Krasniqi ka thënë se do të mbrohen interesat e vendit.
“Nëse është interesi i imi dhe mbi të gjitha i Kosovës, ne jemi këtu për të mbrojtur interesat e vendit tonë edhe atëherë kur mund të cenohen interesat e individit”, ka thënë Krasniqi. /kosovapress/