E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi i përgjigjet Medvedevit: Çështja e pavarësisë ka përfunduar

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është kundërpërgjigjur presidentit të Rusisë Dimitri Medvedev për deklaratën e tij në lidhje me statusin e Kosovës, bërë gjatë vizitës në Serbi. Krasniqi thotë se çështja e statusit tashmë është punë e kryer. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kosovar, Krasniqi ka thënë se çështja e statusit të Kosovës është e zgjidhur në momentin kur është shprehur vullneti i qytetarëve për shpalljen e pavarësisë.
"Për mua dhe për qytetarët kosovarë, çështja e Kosovës është e kryer, statusi është zgjidhur dhe në atë kohë kur populli shqiptar ka vetëvendosur për t'u shkëputur nga politika e genocidit dhe e robërisë dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, çështja e Kosovës është e zgjidhur", ka deklaruar Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi e ka quajtur të rëndësishëm ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë për demarkacionin fizik për Kosovën dhe për rajonin, ndërsa nuk ka pranuar se Kuvendi është ngutur me ratifikimin e saj, pavarësisht protestave të banorëve të Debëlldesë.
"Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Ne konsiderojmë se miratimi dhe ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm për Kosovën dhe është i rëndësishëm për proceset që janë duke u zhvilluar rreth Kosovës", ka thënë ai.
Kryeparlamentari ka folur edhe për raportin e progresit të Komisionit Europian, duke theksuar se vërejtjet që janë dhënë për institucionet e vendit, sigurisht se do të debatohen në Kuvend. Ai ka thënë se raporti është real dhe pasqyron gjendjen dhe funksionalizimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›