Krasniqi, kandidati i vetëm
Arben Krasniqi është kandidati i vetëm për përzgjedhës të përfaqësueses së Kosovës. Trajneri i Sigal Prishtinës e ka dorëzuar plan-programin e tij në afatin e caktuar në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), me të cilin planifikon ta udhëheqë përfaqësuesen në periudhën njëvjeçare.
Një gjë të tillë nuk e kanë bërë edhe dy kandidatët tjerë të përzgjedhur nga Këshilli Profesional i FBK-së, Bujar Loci dhe Agim Kasapolli, në afatin e përcaktuar për 5 ditë, i cili përfundoi të hënën në mesditë. Këtë e ka bërë të ditur komisari i garave në FBK, Nazmi Paçarada.
“Arben Krasniqi është i vetmi kandidat për përzgjedhës. Ai e ka dërguar plan-programin e tij në FBK dhe tash mbetet që atë ta shqyrtojë Bordi i Federatës, i cili do të mblidhet shumë shpejt. Ndërsa, dy të propozuarit tjerë, Agim Kasapolli dhe Bujar Loci, nuk e kanë paraqitur fare kandidaturën”, njoftoi Paçarada.
Të tre të propozuarit në të kaluarën ishin përzgjedhës të Kosovës. Bujar Loci ishte në dyshim nëse do të kandidonte, por ai vendosi të mbetej në klubin e basketbollit Peja, të cilit dëshiron t’i përkushtojë më shumë kohë dhe vëmendje.
Ndërsa, Agim Kasapolli jo vetëm që nuk ka kandiduar për përzgjedhës, por ai ka dhënë dorëheqje nga ky post, të cilin e mbante deri tash. Trajneri pejan ka shpjeguar edhe arsyet e këtij vendimi gjatë një konference për shtyp të mbajtur të hënën.
“Unë kam vendosur të jap dorëheqje. Në mbledhjen e fundit nënkryetari Rugova ma ka mohuar të drejtën e fjalës dhe pas kësaj kam vendosur të jap dorëheqje. Unë kam kërkuar shkarkimin e tij, po kjo nuk ka ndodhur”, tha Kasapolli i cili mendon se nga kjo detyrë po largohet si fitues dhe jo si humbës.
Ndërsa, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe sukseset e arritura gjatë karrierës së tij dhe ato të fundit me përfaqësuesen e Kosovës në basketboll. Nga e gjitha kjo nënkuptojmë se përzgjedhës i ri i Kosovës do të jetë trajneri Arben Krasniqi.
Turne për pavarësi
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur të hënën që për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2011 të organizohet një turne apo ndeshje miqësore.
“Për këtë do t’ i bëhet ftesë zyrtare federatave të basketbollit nga Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Kroacia. Nëse shfaqen vështirësitë rreth pjesëmarrjes së reprezentacioneve të lartpërmendura, do të mbetet alternative që ky turne të bëhet me përfaqësim të këtyre shteteve përmes klubeve”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FBK.
Në këtë mbledhje është vendosur që mini-afati kalimtar për lojtarë të jetë nga data 07.02.2011 deri më 16.02.2011.