E Diel, 1 Nëntor 2026

Revolucion për ndryshime

Afrim Muçiqit i ka humbur durimi. Nënkryetari i FC Prishtinës ka iniciuar formimin e Shoqatës së Klubeve për të bërë revolucion në futbollin kosovar, i cili nuk ka bërë asnjë hap para që 12 vjet. Ai për këtë fajëson Federatën e Futbollit të Kosovës, derisa thotë se Shoqata e Klubeve, përveç që do t’i shtyjë përpara proceset, do të kërkojë edhe ndryshime në udhëheqësinë e FFK’së. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 18 janar 2011 në ora 12:17

Futbolli kosovar nuk e ka bërë asnjë hap para viteve të fundit. E, nëse e krahasojmë me vendet e Ballkanit, ky sport në Kosovë është shumë i prapambetur në të gjitha sferat.

Po bëhen 12 vite që nga përfundimi i luftës, derisa Kosova akoma nuk e ka Ligjin për Sport dhe Ligjin për Sponsorë, si pasojë e të cilit sot futbolli dhe në përgjithësi sporti kosovar është në gjendje të rëndë.

Mungesa e këtyre ligjeve më së shumti po i mundon ata që po bëjnë përpjekje ta mbajnë gjallë sportin kosovar – donatorët.

Njëri nga ta është edhe Afrim Muçiqi. Nënkryetar i FC Prishtina mërzitet kur i bie ndërmend se është pjesë e futbollit më të prapambetur në rajon.

Për këtë ai fajin më të madh ua hedhë udhëheqësve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për të cilët thotë se ende nuk e kanë bërë asnjë hap të vetëm përpara.

Sipas tij, FFK-ja, në bashkëpunim me federatat tjera sportive kosovare, duhet të bëjë presion mbi institucionet shtetërore që urgjentisht ta rregullojnë infrastrukturën ligjore për sport.

Duke e parë që asgjë nuk është duke ecur në këtë drejtim, FC Prishtina ka iniciuar formimin e Shoqatës së Klubeve të futbollit. Muçiqi thotë se me kolegët e tij të tjerë nga FC Prishtina veç i kanë nisur bisedimet me zyrtarë të klubeve tjera kosovare rreth formimit të shoqatës.

“Duhet formuar Shoqata e Klubeve, që t’i shtyjmë vetë proceset, meqenëse federata është duke fjetur. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Besoj se brenda këtij edicioni klubet kosovare do të bëhen me shoqatën e tyre”, deklaroi Muçiqi për Express.

“Si shoqatë do të jemi një lloj ‘opozite’ e neglizhencës së kësaj federate, por jo kundër saj, sepse federata është e jona. Shoqata jonë do t’i shtyjë përpara të gjitha proceset. Do ta përshpejtojmë procesin e rregullimit të ligjeve, të marrjes së stadiumeve në shfrytëzim nga komunat e Kosovës, etj. etj.”, vazhdoi Muçiqi.

Ai pohoi se FFK-ja nuk është treguar aspak e zonja për t’i çuar përpara këto procese, andaj tha se ky institucion ka nevojë të rifreskohet. “Do të kërkojmë ndryshime në udhëheqësi të FFK-së. Është koha për ndryshime, sepse që 12 vite nuk është bërë asgjë në futbollin tonë”, vazhdoi ai.

Muçiqi e këshilloi kreun e FFK-së, Fadil Vokrri, se si duhet të veprojë si udhëheqës i futbollit kosovar. Si shembull, ai përmendi homologun e Vokrrit, kreun e Federatës malazeze të Futbollit, Dejan Saviçeviç.

“Në Malin e Zi, futbollin e udhëheq një njeri me ndikim. Dejan Saviçeviç i ka dhënë ultimatum Parlamentit malazez nga i cili ka kërkuar që për dhjetë ditë të miratohet Ligji për Sport. Dhe, për tetë ditë është miratuar ligji. Kryetari jonë, Fadil Vokrri, këtë nuk e bën, gjë që duhet ta bëjë. Ai ka ndikim dhe mund ta bëjë, por nuk e bën dot”, theksoi Muçiqi.

Ai përsëriti se infrastruktura ligjore për sport duhet rregulluar urgjentisht në Kosovë, në mungesë të së cilit, sipas Muçiqit, futbollin kosovar vazhdimisht e përcjellin shumë dukuri të rënda negative.

Gjatë intervistës për Express, Muçiqi numëroi me dhjetëra e dhjetëra dukuri nga më të ndryshmet negative që kanë ndodhur në futbollin kosovar që nga paslufta.

Ai kujtoi se si në Kosovë huliganizmi nuk ka të ndalur dhe se si në futbollin tonë ka pasur raste kur lojtari është aktivizuar, edhe pse në Shqipëri është zënë duke përdorur doping.

Ai tregon se si në Kosovë sot aktivizohet futbollisti që ka katër kontrata me katër klube të ndryshme.

Ai thotë se futbollistët në Kosovë bojkotojnë stërvitje sepse nuk i marrin me kohë pagat.

Sipas tij, në vendin tonë mbi 80 për qind të futbollistëve nuk kanë kontrata profesionale me klube të vërtetuara në FFK, etj, etj.

“Për të gjitha ato eksese as një masë e vetme e mirëfilltë nuk është ndërmarrë nga FFK-ja. Dënohen me nga dy ndeshje apo me nga 500 euro. Duhet të marrim modele nga shtetet fqinje, nëse jo më larg. Në Shqipëri, për një ekses të tillë si ndodhin te ne shpeshherë, klubi është dënuar për dy vite përjashtim nga gara, etj, etj. Në Malin e Zi, 5 mijë euro është dënimi nëse tifozi hyn në fushë”, thotë Muqiçi.

Për situatën aktuale në të cilën gjendet futbolli kosovar, ai adresën e fajit e sheh në FFK. Muçiqi deklaroi se Kosova ka një federatë të mjerueshme të futbollit. Sipas tij, udhëheqësit aktualë të FFK-së ende nuk e kanë bërë asnjë hap përpara, që prej kohës kur në krye të shtëpisë së futbollit ka ardhur Fadil Vokrri.

“Këta udhëheqës të kësaj federata janë në vitin e tretë të mandatit. Në këto tri vite nuk e kemi asnjë rezultat të vetëm pozitiv që e kanë arritur këta njerëz. Njerëzit që i kemi në FFK, e them me një sinqeritet të madh, janë duke e pengu shumë zhvillimin e futbollit”, shtoi ai.

“Këta njerëz mburren kur thonë se kemi arritur që kartonët e futbollistëve t’i njeh FIFA dhe me disa takime me krerët e këtij asociacioni. Por, këtë e ka bërë FC Prishtina qysh moti. Klubi jonë para katër vitesh ka dërguar futbollistë jashtë vendit me pasaportë të Republikës së Kosovës. Ne kemi bërë presion në UNMIK dhe kemi arrit që çështjen e transferimeve të lojtarëve ta çojmë në FIFA, sepse ua kemi tërhequr të gjithëve vërejtjen se ajo dukuri ka qenë trafikim i njerëzve”, vazhdoi Muçiqi.

Ai pohon se ka argumente me bollëk, kur thotë se drejtuesit aktualë të FFK-së po e pengojnë zhvillimin e futbollit kosovar.

“Për të gjitha këto kritika, krerët e FFK-së le të më demantojnë nëse munden, por vetëm me fakte. Unë jam i hapur për debat dhe për ballafaqim të argumenteve. Këto kritika i plasoj vetëm për të mirën e futbollit kosovar dhe përputhen plotësisht me realitetin”, u shpreh ai.

“Pata thënë se ka krim të organizuar në futbollin kosovar dhe u pata dënuar për atë deklaratë nga FFK-ja. Më vonë doli se kam pas të drejtë, sepse të gjithë e pamë krimin. Tri ndeshje të Kosovës së Vushtrrisë u përcaktuan në tavolinë, janë hequr kartuçat e kuq, etj, etj”, nënvizoi njeriu numër dy i FC Prishtinës.

Zyrtarët e Prishtinës prej vitesh kritikojnë politikat e udhëheqësve aktualë të FFK-së, në krye të së cilës është Fadil Vokrri. Kësaj pozite njëkohësisht me Vokrrin ia pat mësyrë edhe kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi.

Por, Muçiqi mohon që kritikat e plasuara nga FC Prishtina në drejtim të FFK-së rrjedhin nga inati eventual që Ejupi nuk ia kishte dalë ta fitojë betejën ndaj Vokrrit për të parin e FFK-së.

“Njëherë e përgjithmonë të hiqen dilemat. Këto kritika nuk rrjedhin nga ajo kinse po kritikojmë nga mllefi që Remzi Ejupi nuk ia ka dalë të bëhet kryetar i FFK-së”, theksoi ai.

Në fund Muçiqi tha se Prishtina ka qenë me fat që kryetari i saj, Remzi Ejupi, nuk është bërë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›