E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ferizaj n’ bojkot

Trajneri Naim Sojeva dhe futbollistët e Ferizajt i kanë bojkotuar përgatitjet për sezonin pranveror. Ata njëzëri kanë vendosur të hënën se nuk do të pranojnë të stërvitin pa u përmirësuar kushtet në ekipin ferizajas. Edhe drejtuesit e klubit pranojnë se gjendja është e rëndë. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 18 janar 2011 në ora 12:12

Klubi i futbollit Ferizaj po kalon nëpër momente të jashtëzakonshme. Ferizajasit nuk i kanë nisur përgatitjet për sezonin pranveror pa u përmirësuar kushtet në këtë klub, edhe pse një gjë e tillë ishte paraparë për të hënën.

Kështu ka vendosur trajneri Naim Sojeva dhe futbollistët e këtij ekipi, pasi u mblodhën në stadiumin e qytetit. Ata janë të vendosur t’i bojkotojnë stërvitjet, derisa të rregullohen gjërat në këtë klub me traditë.

“E patëm një takim me futbollistë dhe vullneti ynë i përbashkët është që të mos i fillojmë përgatitjet në këto kushte, të cilat i patëm edhe në vjeshtë. Derisa nuk ka ndryshime, ne do të mbetemi me këtë qëndrim. Kërkojmë që të merren më seriozisht organet kompetente me këtë punë, pasi që jemi lodhur me premtime”, deklaroi trajneri Sojeva.

I brengosur dukej edhe drejtori i klubit, Nadir Haxhimusa, i cili kishte marrë shpesh premtime për ndihmë dhe mbështetje nga Komuna e Ferizajt, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ai shpreson që gjërat të rregullohen sa më shpejt, pasi që më nuk ka kohë.

“Gjendja në klub është shumë e keqe, alarmante. Nuk ka kurrfarë kushtesh, edhe futbollistët janë lodhur me premtime dhe kanë vendosur që mos t’i fillojnë përgatitjet. Sporti në këtë qytet është lënë anash, askush nuk e ndihmon dhe përkrah atë, askush nuk e merr përgjegjësinë. Do të kemi takime me udhëheqësit e komunës nesër (të martën). Të shohim se çka do të ndodhë. Shpresojmë në një zgjidhje pozitive, në të mirën e klubit”, ankohet Haxhimusa.

Drejtuesit e Ferizajt kishin marrë premtime për mbështetje nga komuna javën e kaluar, po asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje, ky klub rrezikon pjesëmarrjen në gara në pranverë. Edhe ashtu, Ferizaj gjendet në një pozitë të vështirë, pasi është i fundit në tabelë pas pjesës së parë të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›