E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi pret senatorin Perduka

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete të Bashkimit Evropian po ndikon negativisht në procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e Shengenit.

Gjatë një takimi me senatorin italian, Marko Perduka, kryekuvendari Krasniqi ka shprehur mirënjohje për kontributin e Italisë në mbështetje të Kosovës.

Krasniqi rikujtoi se tashmë Kosovën e kanë njohur 67 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa theksoi aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur rreth pozitës së minoriteteve në Kosovë, kreu i legjislativit vendor ka thënë se të gjitha minoritetet janë të përfshira në institucionet e Kosovës, pos minoritetit serb, i cili ende nuk po integrohet kënaqshëm në jetën institucionale dhe përgjithësisht në shoqërinë kosovare. “Shkak për këtë është politika e Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Kryekuvendari Krasniqi foli edhe për mosfunksionimin e duhur të ligjit në veri të Kosovës, që për pasojë po sjell dukuri negative, siç është kontrabandimi i mallrave nga ana e Serbisë. Kjo po i sjell shumë dëme buxhetit të Kosovës.

Ndërkaq, senatori Perduka, njëherësh anëtar i Partisë Radikale Transnacionale, ka thënë se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, ndërsa në kuadër të thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërparlamentar shprehu gatishmërinë për formimin e Grupit të Miqësisë në mes deputetëve të Kosovës dhe të Italisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›