Krasniqi:Bisedimet, pasi të sqarohet raporti i Martyt
Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që raporti i Dick Martyt do të shtyjë fillimin e procesit të paralajmëruar të bisedimeve mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.
Kjo për faktin se institucionet vendase, sipas tij do të duhej ta qartësonin pozicionin e krijuar pas ngritjes së “akuzave dhe shpifjeve” të raportuesit të Këshillit të Evropës, se qarqe të larta politike në Kosovë, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi janë të përfshira në trafikim organesh dhe në krime të tjera.
Në një intervistë për mediat kosovare, ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi në qartësimin e situatës thotë se duhet të kontribuojnë edhe Bashkimi Evropian dhe Asambleja e Këshillit të Evropës.
Krasniqi është shprehur i bindur se krimi që pretendohet të jetë kryer në Kosovë nuk është bërë as populli shqiptar, as nga pjesëtarët e UÇK-së, e as nga politika.
“Le ta gjejnë kush është. Edhe ne jemi të interesuar që të gjenden ata që janë të përfshirë në një nivel të tillë të krimit të organizuar”, ka thënë ai.
Krasniqi beson se Kosova do të bëhet me institucione të reja menjëherë pas 9 janarit, pasi nuk sheh asnjë arsye që subjektet politike të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Ai nuk e mohon se me 12 dhjetor dikush ka dështuar që t`i dëmtojë fuqinë elektorale, pikërisht në zonën nga ai vjen. “Dikush u frikësua nga autoriteti që e kam pasur jo vetëm në Drenicë, por në të gjithë Kosovën”, ka thënë ai.