E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi:Integrimet euroatlantike, prioritet i kombit shqiptar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shprehet shumë i kënaqur me punën e institucionit që drejton, duke thënë se gjatë dy vjetëve të fundit janë shënuar më shumë suksese sesa në të gjitha legjislacionet e kaluara.
"Miratimi i ligjeve të shtetësisë së Kosovës, formimi i institucioneve përkatëse kushtetuese të saj, promovimi i kulturës dhe i demokracisë parlamentare, ruajtja e balancës parlamentare dhe e marrëdhënieve pozitë-opozitë, si dhe përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë në Kuvend- janë të arritura që nuk mund të kontestohen", është shprehur Krasniqi në një intervistë për gazetën Zëri.
Kryeparlamentari vlerëson pozitivisht edhe zhvillimet tjera politike në vend. Edhe pse thotë se nuk duhet injoruar roli i diplomacisë serbe, Krasniqi konsideron se procesi i njohjes ka pasur zhvillim të mirë. Kryekuvendari thotë se situata në veri është më mirë se dy vjet më parë, porse do të duhet ende kohë dhe përpjekje për t'u normalizuar plotësisht.
Krasniqi nuk ka hezituar të përgjigjet edhe rreth angazhimeve të tij të kamotshme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. I pyetur se a ka hequr dorë nga ky opsion dhe a e konsideron bashkimin alternativë të vdekur, kryetari i Kuvendit ka thënë se qëllimi kryesor i një populli të sunduar është që heqë qafe sunduesin.
"Ne e kemi arritur këtë qëllim, falë gjakut, sakrificave të panumërta të popullit tonë dhe solidaritetit ndërkombëtar. Sot, prioritet më i lartë dhe më strategjik se integrimet euroatlantike, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi, nuk ka", ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›