E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi:Nuk do të ketë më barrikada

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë të mërkurën se heqja e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do të ndodhë dhe se këtë punë do ta kryejë KFOR-i, ndërkaq nuk parapëlqen që të merren aksione nga ana e Qeverisë të zhurmshme dhe të pamenduara mirë.
Kryeparlamentari këto komente i ka bërë pas takimit me kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini.
“Jemi të vetëdijshëm për situatën politike dhe gjendjen në atë pjesë të Kosovës. Ne jemi shtet i ri, kemi trashëguar konfliktet ndërnacionale dhe këto konflikte ndërnacionale nuk janë as faji, as përgjegjësia jonë. Megjithatë, kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe unë jam i bindur që faktori ndërkombëtar, KFOR-i, EULEX-i dhe qendrat e vendosjes, Washingtoni dhe Brukseli me institucionet që i ka Kosova, jo ndoshta me aksione të pamenduara mirë, por kam bindje të plotë që çështja e asaj pjese të Kosovës do të zgjidhet në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, natyrisht edhe në interes të qytetarëve serbë të asaj pjese”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i legjislativit ka mohuar se KFOR-i nuk është duke lëvizur në heqjen e barrikadave, por sipas tij KFOR-i ka politikat e veta për largimin e këtyre barrikadave.
“.... Nuk është e vërtetë që KFOR-i nuk po lëviz, KFOR-i i ka politikat e veta, e ka komandën e vet dhe vizionin e vet të zgjidhjes së atij problemi. Mendoj që tani për tani ata e kanë atë përgjegjësi dhe ne duhet të presim të kryejë detyrën e tyre dhe unë besoj që do të kryejnë”, është shprehur Krasniqi.
I pyetur se pse Qeveria e Kosovës nuk është në atë pjesë, Krasniqi ka thënë “Pse është KFOR-i aty...”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›