Avokatët: “Në Tropojë, prokurorët janë pronarë të ligjit”
Dy avokatët e të pandehurit Lata, Alberta Gega dhe Bardhi Koçi, janë shprehur se rasti në fjalë përbën një absurditet të pashoq. Megjithatë, avokatët janë shprehur se në gjykatat e qyteteve të vogla (si rasti i Tropojës) ngjarje të tilla janë thuajse fenomene normale. “Normalisht në një shtet të Bashkimit Europian një rast i tillë do të ishte bërë Kazus Ligjor dhe do të kishte ndezur debate publike, por ne duhet të jemi me këmbë në tokë kur gjykojmë pasi në qytetet e Shqipërisë të tilla raste janë të përditshme”, - deklaron avokatja Gega. Më tej, ajo shton se qyteti i Tropojës ka një veçori krahasuar me qytetet e tjera pasi, sipas saj, në këtë qytet thuajse nuk ekziston nocioni avokat. “Për ne ishte një eksperiencë e vyer pasi konstatuam se në qytetin e Tropojës është krijuar një traditë e ngushtë bashkëpunimi mes prokurorisë dhe gjykatës ndërsa prania e avokatëve shihet me shumë dyshim dhe e tepërt, aq sa klienti ynë na është shprehur se prokurorët i kishin kërkuar të hiqte dorë nga avokatët që në këmbim ata të hiqnin dorë nga kërkesa e tyre e paligjshme për burg pa afat”, - është shprehur avokatja Gega për “Albania”-n. Ndërkohë që avokati tjetër i çështjes, Bardhi Koçi, i ka thënë “Albania”-s se justifikimet e prokurorëve për “vështirësitë e motit dhe kushtet atmosferike” janë tregues të qartë të një niveli profesional gati grotesk nga ana e tyre.
5 Mars 2008