Abuzimet në Drejtësi, KLD-ja ashpërson tonet
Prej gati dy javësh, kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në kuadër të fushatës së tij për reformimin e Gjyqësorit, shpesh herë ka vendosur të thotë “troç” shumë probleme që manifeston ky pushtet në Shqipëri. Ndërsa rasti i shtetasit Naim Lata është tregues i abuzimit në një qytet të largët, duket se dhe vetë kryeqyteti është përfshirë nga skandalet dhe problemet. Gjatë analizës vjetore të gjykatave të Tiranës, kreu i KLD-së dhe ministri i Drejtësisë u shprehën se Drejtësia është kthyer në biznes. Ministri Alibeaj akuzoi konkretisht 12 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit në Tiranë për vendime tërësisht korruptive dhe abuzive. “Janë 12 gjyqtarë të Apelit, të cilët nuk duan të punojnë dhe të japin drejtësi. Prej 7 muajsh e 23 ditësh, plot 600 vendime të dhëna nga kjo gjykatë nuk janë arsyetuar, në një kohë që afati maksimal është 30 ditë. Kjo është një aferë e pastër korruptive”, - deklaroi numri një i dikasterit të Drejtësisë, duke u rënë këmbanave për një largim të mundshëm të tyre. Ai u shpreh tejet kategorik për rëndësinë e nevojës së pastrimit të sistemit gjyqësor nga fenomeni i korrupsionit. Pas akuzave të rënda pati dhe reagime të ashpra nga gjyqtarët, të cilët kërkuan të mos hidhet baltë mbi punën e tyre. Ndërsa kreu i KLD-së, Spahiu, në fjalën e tij ngriti shqetësimin e ravijëzimit të fraksioneve brenda trupës gjyqësore të Gjykatës së Tiranës, të cilat në disa raste marrin përmasa të tilla sa krijojnë konfrontime me drejtuesit, me anëtarët e trupit gjykues dhe ndonjëherë përçohen deri te palët, konfliktet e të cilave shqyrtohen nga këto kolegje gjyqësore.
5 Mars 2008