Shkon në gjykatë dosja e të akuzuarit për trafik narkotikesh
TIRANË - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesi ndaj shtetasit Sead Qarolli, i cili akuzohet për “trafik të lëndëve narkotike”. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi çështjen penale ndaj këtij shtetasi për shqyrtim gjyqësor, pohuan sot burime pranë kësaj prokurorie. Shtetasi Sead Qorrolli nga Kosova u arrestua në kushtet e flagrancës në shtator të këtij viti nga shërbimet policore në Portin e Durrësit me afro 5 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë, në makinën me të cilën udhëtonte për në Itali.
Nga hetimet e çështjes rezulton se Qorolli kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia, duke përdorur pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Tashmë në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet të hidhet shorti për caktimin e trupi gjykues të kësaj çështjeje.
Mori peng nënë e bir, ekstradohet rrëmbyesi
Tiranë - Vetëm një vit mundi t’i fshihej policisë autori i identifikuar për një pengmarrje në Pogradec. Interpol-Tirana ka arritur që përmes bashkëpunimit me policinë fqinje të ekstradojë nga Athina shtetasin Mihal Shkëmbi, 37 vjeç, lindur në Korçë. Sipas burimeve të policisë, për këtë shtetas, Gjykata e Pogradecit, në datën 15 shtator të vitit 2007 ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për kryerjen e veprës penale të “rrëmbim ose mbajtje peng personi në bashkëpunim”. Nga hetimet për këtë çështje ka rezultuar se 37-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin Adriatik Zenullari dhe një person të tretë të paidentifikuar, tek agjencia e furgonëve të Pogradec, kanë rrëmbyer shtetasen Th. M., së bashku me fëmijën e saj të mitur. Pas rrëmbimit ata i mbajtën të izoluar në një banesë në fshatin Drenovë të Korçës, pronë e shtetasit Mihal Shkëmbi. “E dëmtuara së bashku me fëmijën kanë arritur të largohen më pas duke zbritur nga ballkoni me anë të një çarçafi”, - thanë burimet policore. Pas ekstradimit në Aeroportin e Rinasit ai i është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
14 Dhjetor 2008