Gruaja e Remzi Hoxhës: “Hierarkia shtetërore nuk iu përgjigj telegrameve tona”
Tiranë - Bashkëshortja e Remzi Hoxhës rrëfeu dje para Krimeve të Rënda kalvarin e kërkimeve për zhdukjen e bashkëshortit të saj. Ndryshe nga herët e tjera, që ishin mësuar të shihnim familjen Hoxha në ndonjë konferencë shtypi, dje dëshmia e Sedijes, më tepër ka qenë një apel për të pasur një varr ku të qajnë të afërmin se sa një kërkim për vënie të drejtësisë për atë çka ju ka ndodhur për më shumë se një dekadë.
Dëshmia
Bashkëshortja e Remzi Hoxhës ka dëshmuar për dy orë me. Dy familjarët kanë treguar momentet e para të rrëmbimit, momentin kur e morën vesh, letrat e telegramet pa fund drejtuar qeverisë të asaj kohe të cilat nuk morën përgjigje si dhe të gjitha përpjekjet që bënë për gjetjen e tij. Bashkëshortja e biznesmenit Remzi Hoxha ka bërë me dije trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Xhelal Elezi, se ditën e ngjarjes që në mëngjes bashkëshorti i saj shoqëroi djalin e tyre Ardianin, për në Kolegjin Turk ku ai studionte. Ndërsa së bashku me motrën e saj, e cila kishte ardhur nga Shkupi kishin dalë për shëtitje e Pazar. Pas kishin shkuar për vizitë në banesën e një miku të ngushtë të Remziut ishin kthyer në shtëpinë e tyre. Aty ku kishte ardhur një punëtor i fabrikës “Albatros”, i cili i kishte bërë me dije se Remziu ishte nisur për Shkodër e nuk do të kthehej atë ditë. Por, kur kanë kaluar dy ditë janë vënë në dijeni të rrëmbimit të tij dhe më pas kanë bërë denoncim në polici. Dëshmitarja ka bërë me dije se ka marrë përgjigje shumë të ashpra nga efektivat e policisë. “Kë atë Remzi Hoxhën kërkon ti atë me mjekër, shko gjej ndonjë tjetër, çfarë e do atë”, kështu ka deklaruar se i janë përgjigjur autoritetet policore. Bashkëshortja e biznesmenit shqiptaro maqedonas ka bërë me dije se ka marrë vesh nëpërmjet të afërmit të tyre se Remziun e kishin marrë ose ushtria ose policia. Kjo e fundit mësohet se ka lajmëruar kunetërit e saj.
Telegramet dhe takimet
Pas konsultimeve kanë dërguar një numër të madh telegramesh të cilat nuk kanë marrë përgjigje. Telegrame familja e Hoxhës, sipas bashkëshortes së tij i kishte dërguar edhe presidentit të saj kohe Sali Berishës, i cili i kishte kthyer përgjigje se duhet të interesohej në SHISH. Ndërsa nga ana e këtij institucioni familja nuk kishte marrë përgjigje. Kontakte familja e Hoxhës ka pasur me familjen e Berishës me bashkëshorten e tij si dhe me vjehrrin e tij. Ndërsa paralelisht me telegramet e nisura në drejtim të institucioneve shtetërore, familja Hoxha, sipas Sefdie Hoxhës, familja e tyre ka bërë shumë shpenzime për gjetjen e të afërmit të tyre. ndërsa shumë persona kishte marrë të holla lekësh për gjetjen e tij, të cilët më pas kanë rezultuar të ishin vetëm mashtrues. Dëshmitarja gjithashtu ka bërë me dije se Remziu nuk ka pasur asnjëherë konflikte. Dëshmitari i dytë në proces ka qenë djali i Rmezi Hoxhës, Ardiani. Gjatë dëshmisë së tij ai ka bërë me dije se ditën e rrëmbimit të babait të tij ka qenë në shtëpi së bashku me nënën e tij, me tezen e cila ju kishte ardhur mysafire si dhe me vëllezërit. Ndërsa në derë ju ka ardhur punëtori i fabrikës Astrit Sula i cili ju kishte bërë me dije se Remziu kishte shkuar në Shkodër. Të nesërmen këta të fundit kanë marrë vesh që ishte shoqëruar për në polici dhe mund ta mbanin për 24 ose 48 orë për verifikim. Ndërsa këta të fundit kanë pritur edhe 24 orë të tjera për arsye se dita që pritej që të dilte ishte e diel. Sipas dëshmitarit pas mbledhjeve të cilat janë bërë në familje ku ky i fundit ka qenë prezent pasi ishte djali i madh i Remziut ka marrë dijeni se babai i tij ishte marrë nga 9 persona të cilët ishin punonjës në SHISH. Ndërsa ai i ka treguar gjykatës se punëtorët kishin treguar se pasi e kishin marrë të atin i kishin vënë prangat. Por jo vetëm kaq. Adriani ka bërë me dije se persona të ndryshëm kanë dashur të përfitojnë në vitet e para të zhdukjes së tij duke marrë shuma të ndryshme të hollash. “ Një nga rastet që mbaj mend është kur xhaxhit të madh i kanë kërkuar një shumë të hollash duke i thënë se do ju kthejmë eshtrat. Pasi kanë marrë një pjesë të lekëve kanë sjellë një qese me eshtra dhe pasi xhaxhai i ka thënë se do ta merrni pjesën tjetër pasi të vërtetohet se janë të Rezmiut, ata nuk kanë ardhur më. Ndërsa raste nuk ka pasur kur na kanë thënë që hajdeni në këtë vend e sillni kaq lekë se do jua kthejmë. Çfarë çastesh ankthi kemi përjetuar”, ka deklaruar duke ju dridhur zëri Adriani. Bashkëshortja dhe djali i Remzit kanë bërë më dije gjykatës se kërkojnë drejtësi, e cila të vendoset nga ana e tyre, ndërsa nuk kërkonin as të hakmerreshin ndaj të pandehurve por ju kërkonin eshtrat e të afërmit të tyre, për t’i pasur një varr ku edhe të vinin një tufë me lule.
Procesi
Në seancën e djeshëm nuk ishin të pranishëm asnjë nga të pandehurit duke iu besuar përfaqësimin avokatëve të tyre. Avokatët e kanë pyetur dëshmitaren nëse e njihte Arben Sefgjinin. Sedija Hoxha u përgjigj se për Sefgjinin kishte dëgjuar nëpërmjet medias si personin më të lakuar që kishte gisht në zhdukjen e bashkëshortit të saj. Po kështu ajo kishte të njëjtën njohje nëpërmjet medieve me të akuzuarit e tjerë. Procesi mbi zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha do të vijojë në shtator me të tjerë dëshmitarë të akuzës. Në seancën që u caktua të zhvillohet me 9 shtator një nga dëshmitarët që pritet të dëshmojë është përcaktuar dhe Ziso Kristopuli me bashkëshorten e tij Elmën. Ziso Kristopuli ishte një nga personat që pretendon se është keqtrajtuar nga SHIK-u i asaj kohe dhe i ka rënë të udhëtojë në të njëjtën makinë që ishte dhe Remzi Hoxha. Ziso Kristopuli aktualisht jeton në Sarandë dhe herë pas herë ai denonconte në media se kërcënohej pikërisht për këtë ngjarje.
Ardian Hoxha: “Shkëlzen Berisha më tha se do të interesohej”
Edhe pse ka qenë fare i vogël ditën kur ia kanë marrë të atin, sërish mban mend shumë peripeci që i janë dashur t’i kalojë mbi supet. Përballë fatkeqësisë se nuk e dinë ku ndodhet kryefamiljari, Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës dëshmoi në gjykatë mashtrimet e shumta që i kanë bërë familjes së tij. Sipas tij ata kanë paguar shuma të mëdha financiare personave të ndryshëm duke i premtuar se dinin diçka mbi vendndodhjen e të atit. Mirëpo ata kanë nisur të investigojnë në mënyrë private pasi kishin ezauaruar të gjitha rrugët ligjore me institucionet shtetërore shqiptare. Madje Ardian Hoxha tregoi se kishte kërkuar ndihmën edhe djalit të Berishës, Shkëlzenit. Ky i fundit iu kishte thënë se do të interesonte për fatin e të atit të tyre, por diçka Remziu duhet të kishte bërë. Sipas dëshmitarit vetëm kjo ishte përgjigje por asnjëherë se kuptuan se ç’donte të thoshte me këto fjalë djali i ish-presidentit të asaj kohe. Ndërkohë ata kishin grumbulluar një sërë fakte dhe dokumentet që që implikojnë SHIK-un në zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në fund të dëshmisë së tij, edhe Ardiani i kërkoi drejtësisë që për ta më e rëndësishme ishte të zbulohej se ku preheshin eshtrat e të atit.
Zhukja e mistershme e Remzi Hoxhës
Zyrtari i lartë i Tatimeve akuzohet për këtë ngjarje bashkë me tre ish-efektiva të tjerë të Shërbimit Informativ Kombëtar, në të cilin Sefgjini ka ushtruar detyrën e kreut të degës së Tiranës. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda Remzi Hoxha u rrëmbye më 21 tetor 1995. Bashkë me kreun aktual të Tatimeve, Arben Sefgjini, akuzohen edhe ish-kryetari i degës së SHIK-ut të Tiranës, Ilir Kumbaro (person në kërkim), ish-shefi i bazës së vëzhgimit, Avni Koldashi dhe ish-inspektori i Shërbimit Sekret, dega Tiranë, Budjon Meçe. Akuzat e ngritura ndaj katër të pandehurve, janë: “Rrëmbim personi” dhe “torturë me pasoja të rënda”. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se, ish-zyrtarët e Shërbimit Informativ Kombëtar, rrëmbyen në mënyrë të dhunshme në periudhën shtator-tetor 1995 tre persona: Avdyl Loshaj, Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha. Tre të rrëmbyerit, sipas Prokurorisë, u dërguan në një ndërtesë sekrete nën administrimin e Shërbimit Informativ në Vain të Lezhës ku besohet se janë marrë në pyetje për disa ditë me radhë. Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se si pasojë e keqtrajtimeve, në bazën e SHIK-ut në Lezhë, Remzi Hoxha, pronar i një punishteje duralumini në Tiranë, ka gjetur vdekjen. Keqtrajtimet dhe torturat ndaj tre personave të rrëmbyer kanë vazhduar për disa ditë ndërsa Ziso Kristopulli e Avdyl Loshaj kanë arritur të shpëtojnë gjallë, kurse Remzi Hoxha, si duket i dhunuar më shumë se dy të tjerët, nuk ka mundur të mbijetonte. Vendi ku përfundoi kufoma e tij është mbuluar me mister. Hetimet disavjeçare të Prokurorisë së Tiranës, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Krimeve të Rënda, edhe pse tentuan disa herë në këtë drejtim, nuk mundën të zbulojnë asgjë.
Shqipëria ka marrë kritika të forta nga të gjitha raportet vjetore të “Amnesty International” jo vetëm për zhdukjen e Remzi Hoxhës, por edhe për mosndëshkimin e autorëve të kësaj ngjarjeje. Emrat e akuzuar në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, janë lakuar për vite me radhë, saqë në vitin 2003, pas rihapjes së dosjes për zhdukjen e Remzi Hoxhës, Prokuroria urdhëroi arrestimin e tyre. Në maj 2003 në prangat e policisë ranë Arben Segjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. I vetmi i akuzuar i shpallur në kërkim, të cilin policia nuk mundi të arrestonte, ishte Ilir Kumbaro. I cili rezultonte i larguar jashtë vendit, ndoshta me qëndrim në Angli. Një vit më pas, tre të arrestuarit u lanë të lirë pasi akuza e ngritur ndaj tyre, ishte amnistuar me dekret presidencial në vitin 1997. Arben Sefgjini, Anvi Koldashi dhe Budjon Meçe morën dëmshpërblim nga gjykata për kohën e mbajtjes në qeli. Pesë vite më vonë, ndaj tyre Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur dy akuza të tjera duke i dërguar për gjykim për të njëjtën ngjarje.
Tri rrëmbimet pa autor
Më 17 tetor 1995 në Ksamil të Sarandës persona të prezantuar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaluan Ziso Kristopullin, në atë kohë, kryetar i degës së Partisë Socialiste në këtë zonë. Një ditë më pas Kristopulli u thirr në policinë e Sarandës e cila ua dorëzoi atë njerëzve që kishin tentuar ta rrëmbenin një ditë më parë. Në ditët e fundit të tetorit 1995 rrëmbehet dhe çohet në bazën e SHIK-ut në Vanin të Lezhës, edhe një tjetër, Avdyl Loshaj, i cili e kishte takuar Ziso Kristopullin pak ditë më parë, duke iu prezantuar si reporter i huaj. Remzi Hoxha u rrëmbye në oborrin e punishtes së duraluminit “Albatros” në pronësi të tij, më 21 tetor 1995. Ai është marrë nga një makinë “Golf II” me targa TR 2449 C, e cila pas verifikimeve rezultoi se ishte e SHIK-ut. Fati i tre personazheve të rrëmbyera brenda pak ditëve, bashkohet në bazën sekrete të SHIK-ut në Lezhë. Remzi Hoxha, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj përfundojnë aty dhe mbahen disa ditë. Kristopulli lirohet pak kohë më vonë, Loshaj largohet në mënyrë enigmatike dhe për pak ditë qëndron në Spitalin Ushtarak të Tiranës prej nga ku pretendohet se është arratisur, ndërsa Remzi Hoxha zhduket pa lënë asnjë gjurmë. Njëri nga dy personat që u mbajtën bashkë me të në bazën e SHIK-ut në Lezhë, ka dëshmuar se kishte dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës, teksa keqtrajtohej duke u marrë në pyetje nga punonjësit e SHIK-ut.
26 Korrik 2008