E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakroi gruan për xhelozi, kapet i fshehur në tunelet e ushtrisë



GJIROKASTËR – Babai i katër fëmijëve, i nxitur nga xhelozia, ka masakruar bashkëshorten e tij dhe më pas është arratisur për më shumë se 13 orë, por më në fund është gjetur i fshehur në një nga tunelet e ushtrisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se u ndalua dje pasdite shtetasi Halil Roshi, i cili akuzohet si autor i vrasjes së bashkëshortes. Zëdhënësi i Gentian Mullai, tha se, "54-vjeçari Roshi ishte fshehur në një nga tunelet ushtarake në fshatin “Arshi Lengo”, 3 kilometra larg vendit të ngjarjes dhe 5 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Sipas dëshmive të dhëna për ngjarjen, dyshohet e motivi i vrasjes gruas së tij Donika Roshi është ai i xhelozisë.
Arrestimi
Janë dashur plotë 12 orë kërkime që autori i vrasjes së bashkëshortes së tij të ndalohet nga policia e Gjirokastrës". Halil Roshi ishte larguar nga banesa e tij që pas krimit të ndodhur rreth orës 1.00 të ditës së djeshme. Ai mori me vete edhe mjetet me të cilat kreu vrasjen dhe të vetmen telefonatë që ka bërë, ka qenë ajo me të vëllanë e tij që banon në Tiranë. Pasi është lajmëruar policia, kanë nisur kërkimet për kapjen e tij.
Sipas zëdhënësit Mullai, “kapja e 54-vjeçarit u bë falë punës profesionale të specialistëve të Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, mbështetur edhe nga forcat e komisariatit të Gjirokastrës”. Në operacion kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e komisariatit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Halili ishte larguar vetëm pak kilometra larg shtëpisë së tij, duke u fshehur në një nga tunelet e ushtrisë. Në momentin kur është rrethuar nga policia, ai nuk ka bërë asnjë tentativë për të kundërshtuar.
Vrasja
Rreth orës 1.00 të ditës së djeshme, në familjen Roshi, në fshatin Valare të komunës Lunxhëri, ka nisur një konflikt mes bashkëshortëve. Brenda në banesë ndodheshin edhe katër fëmijët e tyre, të cilët ishin në gjumë. Në konflikt e sipër, Halili ka qëlluar më mjete të forta në kokë gruan e tij, duke e lënë të vdekur në vend. “Grupi hetimor konstatoi se viktima kishte plagë nga mbrapa kokës të shkaktuar nga një send i fortë ,(që dyshohet të jetë mjet mprehës”, - thuhet në njoftimin e policisë. Menjëherë pas vrasjes, ai ka njoftuar vëllanë, duke i thënë se ka vdekur gruaja e tij. Ai i ka rrëfyer gjithë ngjarjen dhe më pas është zhdukur nga shtëpia. Vëllai i 54 vjeçarit Roshi tha se "ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje mes Halilit dhe gruas së tij Donikës". Por shtoi ai "vëllai im e ka vrarë pa dashje bashkëshorten e tij, nënë e 4 fëmijëve. Madje, ai ka shtuar se Halili ishte penduar dhe ka kërkuar t’i japë fund jetës, duke tentuar të pijë fostoksinë. Por, burimet policore raportojnë, duke iu referuar deklarimeve të fëmijëve se shkaku i këtij krimi ishte xhelozia. Sipas njoftimit, çifti “ka pasur prej shumë kohësh debate xhelozie midis njëri – tjetrit”. Halil Besim Roshi ka lindur në Golem të rrethit Gjirokastër dhe prej një viti banonte familjarisht në Topullare të rrethit jugor. Ndërsa viktima, Donika Roshi, ka lindur në vitin 1963 në Progonat të rrethit të Tepelenës.

26 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›