E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia e parë

Banka Botërore i ka aprovuar Kosovës kërkesën për financim të projekteve për modernizim të sektorit publik dhe regjistrimit të pronave në vlerë 20.25 milionë dollarë. Ndryshe nga mënyrat e financimit që ka bërë BB-ja deri më tani për Kosovën, kësaj radhe 11.14 milionë dollarë do të jenë kredi me zero interes, ndërsa pjesa tjetër donacion.
Kjo është kredia e parë që i aprovohet Kosovës gati një vit pas anëtarësimit në këtë institucion financiar ndërkombëtar.

Në dokumentin e aprovuar nga Bordi i Drejtorëve të BB-së në Washington, më 4 shkurt, thuhet se International Development Association (IDA), pjesë e Bankës, do t’i japë Kosovës, për financimin e projektit për modernizim të sektorit publik, 4.4 milionë dollarë kredi, me afat të maturimit 40 vjet dhe periudhë të ngrirjes së kredisë (Grace Period), me normë të interesit 0 për qind. Ndërkaq, IDA do të ndihmojë këtë projekt edhe me një grant 3.6 milionë dollarë.

Po, i njëjti institucion do t’i sigurojë Kosovës edhe 6.74 milionë dollarë kredi me të njëjtat kushte dhe një grant 5.5 milionë dollarësh për regjistrimin kadastral të pronave.
Lundrim Aliu, zyrtar për komunikim në zyrën e Bankës Botërore në Kosovë, ka konfirmuar aprovimin e këtyre projekteve nga Bordi dhe thotë se këto janë pjesë e strategjisë së re dyvjeçare të këtij institucioni për Kosovën.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, thotë se ky është hapi i parë që Kosovës i hapen dyert për mbështetje financiare ndërkombëtare.

“Ky është një start i mirë dhe ne presim financime edhe më të mëdha të projekteve të tjera në Kosovë”, thekson Hamza.

Sipas tij, pas anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ka qenë kusht sigurimi i letrës mbështetëse nga FMN-ja për vitin 2010, të cilën e kanë siguruar në dhjetor të vitit 2009.

Me këtë mbështetje, anëtari më i ri i këtyre dy institucione vlerësohet si vend i sigurt për të pasur qasje në institucionet financiare ndërkombëtare.

Për shkak të renditjes jo të lakmueshme në tregun financiar ndërkombëtar, deri më tani Kosova kreditë nga jashtë i ka paguar shumë më shtrenjtë.

Në dhjetor, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me bankën gjermane KfW për 16.7 milionë euro kredi. Këto para, të cilat do t’i shfrytëzojë Operatori i Sistemit dhe Transmisionit të Kosovës, për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë 400 KW me Shqipërinë, do t’i paguajë bankës gjermane KfW 4 për qind interes vjetor gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme me periudhë të ngrirjes së kredisë (grace periodë) për 3 vjet. Këto para ishin premtuar të jenë donacion nga qeveria gjermane një vit më parë në konferencën e donatorëve, por që më vonë u tha se nga 100 milionët e premtuar nga ky shtet, një pjesë e tyre janë kredi e butë.

International Development Association

International Development Association (IDA) është pjesë e Bankës Botërore që ndihmon vendet më të varfra të botës. E themeluar në vitin 1960, IDA ka për qëllim reduktimin e varfërisë duke dhënë kredi me zero interes dhe grante për programet që sigurojnë rritje ekonomike, zvogëlojnë pabarazinë dhe përmirësojnë kushtet për jetesë të qytetarëve.
IDA është burimi më i madh i asistencës për 79 vendet më të varfra të botës, 39 prej të cilave janë në Afrikë. Është burimi i vetëm më i madh i fondeve të donatorëve për shërbimet themelore sociale në vendet e varfra.
IDA jep para hua, të njohura si kredi, me kushte shumë të volitshme. Kjo do të thotë se huat e IDA-s nuk janë me interes dhe kthimi i tyre është për periudha 35-40-vjeçare, duke përfshirë grace periodën 10 vjet.
Që nga themelimi, IDA ka dhënë hua dhe grante në vlerë 207 miliardë dollarë, mesatarisht 14 miliardë dollarë në vit kohëve të fundit, 50 për qind e të cilave kanë shkuar për Afrikën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›