“Nectar” kthehet në treg

Pas një muaji ndalesë, lejohet shitja e lëngjeve të prodhuara në Serbi, të cilat ishin konsideruara si të dyshimta.
Javën që lamë pas, në Kosovë ka hyrë një sasi e lëngjeve "Nectar" dhe shitja e tyre po vazhdon me ritëm të njëjtë, si më përpara.
Para një muaji, Inspektorati Sanitar i Kosovës, me një urdhëresë pat ndaluar shitjen e lëngjeve të prodhuara në Serbi të firmave “Nectar” dhe “Takovo”.
Mirëpo, analizat e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, rezultoi se disa nga këto produkte nuk përputheshin me deklaracionin, por importuesit e këtyre lëngjeve e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të bërë superanalizën e këtyre lëngjeve jashtë Kosovës, që ishte dërguar në Agjencinë e Ushqimit dhe të Veterinës në Shkup dhe Shqipëri dhe ku rezultoi se të gjitha ishin në rregull dhe në përputhshmëri me deklaracionin.
Inspektorati Sanitar i Kosovës i ka urdhëruar të gjitha inspektoratet komunale që të lejojnë shitjen e produkteve lëngje të të gjitha llojeve të firmës prodhuese “Nektar”.