E Shtunë, 31 Tetor 2026

IQT: Bombolat e gazit, rreziku vjen nga konsumatori

Kontrollet

Inspektorati Qendror Teknik (IQT) akuzon konsumatorët si përgjegjës për mosdaljen nga tregu të shumë bombolave që nuk i përmbushin kushtet teknike. Sipas këtij inspektorati, janë këta konsumatorë që padashur kthehen në pronarë të tyre dhe nuk zbatojnë rregullin për riciklim. Konsumatorët e gazit të lëngshëm shprehen se defektet teknike tek bombolat që ata përdorin janë të shpeshta, kryesisht në lëvizjen e ventilit. Për këtë ata bëjnë me faj institucionet përgjegjëse, që nuk i kontrollojnë më shpesh bombolat e gazit për të shmangur dhe rreziqet e tyre. Punonjës të Inspektoratit Teknik Qendror shprehen për një mungesë legjislacioni që të sanksionojë konsumatorët që kthehen në pronarë të bombolave dhe nuk i riciklojnë ato në afatin e duhur. IQT ndalon kategorikisht rimbushjen e bombolave të gazit dhe ka nisur kontrollet në terren. Kjo është dhe arsyeja që ka çuar Inspektoratin Teknik në bllokimin e aktivitetit të 30 dyqaneve të shitjes së gazit brenda në Tiranë. Inspektorati Qendror Teknik thotë se bombolat duhet t’i nënshtrohen procesit të riciklimit çdo pesë vjet. Ky proces si fillim nis me seleksionimin e bombolave të dëmtuara që nuk përmbushin kushtet teknike për t’u tregtuar. Pas seleksionimit sh.a.-të duhet të pastrojnë bombolat nga skoriet dhe ndryshku, të bëjnë procesin e presimit me ujë dhe azot, deri te lyrja e ndërrimi i ventilit. Gjatë fundit të 2009-s, IQT ka vendosur rreth 100 gjoba për autogazet dhe u bllokuan rreth 350 bombola.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›