Vijon kufizimi i dritave në Tiranë, OSSH: Shkak, defektet
Rastet
OSSH shkel sërish marrëveshjen me Mistrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) për furnizimin 100% me energji elektrike. Në disa zona të kryeqytetit, kryesisht në zonën rreth Shkollës së Bashkuar dhe të ish-parkut të autobusëve, ditët e fundit ka pasur kufizime në orët e pasdites. Pas interesimit të “Shqip”, OSSH pranon se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, të cilat kanë ardhur si rezultat i problemeve në disa prej kabinave elektrike pranë këtyre zonave. Edhe pse sipas OSSH këto probleme janë rregulluar, kufizimet nuk kanë munguar. Banorët bëjnë me faj qeverinë se nuk po zbaton premtimet e bëra kryesisht në kohën e fushatës elektorale. Edhe pse në dijeni për këto probleme, METE ende nuk ka sjellë reagimin e saj. Fabilola Haxhillari, drejtore për komunikimin dhe marketingun pranë “CEZ Albania”, është shprehur se ka pasur sinjalizime të lidhjeve të dyfishta. “OSSH po merret me verifikimin e tyre dhe do të vendosen gjoba sipas rasteve specifike”, është shprehur ajo. Ankesat e banorëve të këtyre zonave kanë qenë të mëdha, edhe në sportelet ku paguhet energjia elektrike. Një punonjëse e këtyre të fundit shprehet se banorët nuk dinë ku të drejtohen për problemet e tyre me energjinë dhe shpesh na akuzojnë si përgjegjëse për ato. Në orët e paradites mungesa e energjisë është vënë re edhe në Universitetin Bujqësor, gjë që ka sjellë pezullim të punës së shumë punonjësve në këtë institucion, ndërsa dje në disa zona të Tiranës ka pasur sërish mungesa të furnizimit.
#