E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi, dështon tenderi për shitjen e Albtelekomit

Procesi
Ministria e Ekonomisë pranon gabimin në hapjen e ofertave

Pas Skavicës dhe INSIG, vjen një tjetër dështim në fushën e privatizimeve. Shitja e rreth 12 për qind të aksioneve të “Albtelekom”, pronë e shtetit, ishte vendosur si objektiv për 2009-n, por problemet me procedurat dhe zvarritjet e shumta e kanë shtyrë në kohë procesin. Edhe pse nuk konsiderohet i rëndësishëm sa i takon përfitimeve financiare, fakti i pezullimit të tenderit për të tretën herë brenda një viti tregon qartë paaftësinë e qeverisë për t’i çuar deri në fund objektivat. Ndërkaq, autoriteti përgjegjës, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pranon anulimin e tenderit, zhvilluar në fund të 2009-s, duke dhënë si argument kryesor hapjen gabimisht të ofertave.
Tenderi kishte si objekt gjetjen e kompanisë konsulente, e cila do të ofronte shërbimin për përzgjedhjen e investitorit. Aktualisht, rreth 76 për qind e aksioneve të “Albtelekomit” janë pronë e grupit turk “çalik Holding”, ndërsa pjesa e mbetur është e ish-pronarëve, punonjësve dhe shtetit shqiptar. Pas ndarjes së aksioneve, qeveria zotëron një paketë prej 12 përqindësh, të cilën e ka nxjerrë në shitje. “Tenderi u anulua për arsye të hapjes gabimisht, nga njëri prej zyrtareve të prokurimit të ofertës ekonomike, të paraqitur nga një prej firmave pjesëmarrëse, para vlerësimit të ofertave teknike, gjë që bie ndesh me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006”, sqaron Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
“Albtelekom” u privatizua në vitin 2005, falë ofertës 120 milionë euro nga shoqëria turke, e cila përfitoi edhe paketën kontrolluese të celularit të tretë. Sikurse bëri AMC, nuk përjashtohet mundësia që aksionet e mbetura t’i blejë sërish gjiganti turk.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›