E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia e rrugës Durrës-Kukës, 53% e saj do të shkojë për fitimin e kompanive

Nga Fitim Zekthi

Kredia prej 250 milionë eurosh e marrë nga qeveria shqiptare me një normë interesi shumë të lartë do të rëndojë qytetarët shqiptarë edhe me një anë tjetër të saj. Sipas vlerësimeve, rreth 53 lekë në 100 lekë të këtij borxhi nuk do të shkojnë për të financuar rrugën Durrës-Kukës, për të cilën është kredia, por për normat e larta të fitimeve të kompanive ndërtuese dhe financuese. Partia Socialiste tha dje se të dhënat dëshmojnë saktësisht këtë vlerë. Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, duke kritikuar kredinë tregtare të marrë nga qeveria për rrugën Durrës-Kukës, tha dje se normat e larta të interesit nga 11,5% deri në 15% janë shumë të rënda për të nesërmen. Ai tha se çdo kredi e marrë ka 4 elemente, që janë të detyrueshme të njihen nga çdo pagues i saj, shuma, monedha, interesi dhe afati në të cilin duhet të paguhet, gjë të cilën qeveria shqiptare nuk e ka bërë të njohur për opinionin. Kritikat e ish-ministrit socialist, Malaj, u përqendruan në faktin që borxhi i vendit do të rëndohej dhe se qytetarët do të paguanin shtrenjtë financime që kryhen në kohë fushatash elektorale dhe në një kohë kur ekonomia botërore dhe ajo shqiptare ka hyrë në krizë ose është ngadalësuar thekshëm. Partia Socialiste tha se ajo i trembej një zhvlerësimi të monedhës kombëtare, i cili do ta bënte akoma më të rëndë kthimin e kësaj kredie. Ministri shqiptar i Financave tha në anën tjetër se kredia është vërtet me normë të lartë interesi, por marrja e saj është e domosdoshme dhe se për marrjen e saj është rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Z. Bode tha se marrja e kredisë tregon për elasticitetin e ekonomisë shqiptare, e cila është në gjendje të mirë dhe arrin të bindë bankat e huaja të japin kredi në vlera të larta. Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha madje se marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat evropiane dhe bankat e vendeve të tjera përbën një sukses për ekonominë shqiptare, duke mos marrë në konsideratë fare faktin që kjo kredi ka kosto shumë të lartë. Duke shpjeguar edhe termat e kredisë, Bode tha se, kjo kredi do merret në dy transhe. “Interesi i kredisë është variabël, dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%”, - deklaroi ai. Sipas tij, niveli i kredisë reflekton interesat e tregut dhe si i tillë në treg nuk mund të thuhet kurrë që u mor shtrenjtë apo lirë, sepse çmimet përcaktohen nga tregu. “Ne dy vite më parë kemi marrë kredi me 5.2% interes nga të njëjtët operatorë, Alpha Bank dhe NBG. Sot, kriza financiare ka detyruar të tjera rregulla dhe standarde, pasi tregu financiar nuk ka pará për të dhënë dhe ju e dini që paraja është një mall dhe si i tillë i nënshtrohet rregullit absolut të kërkesës dhe ofertës”, - sqaroi Bode. Kësisoj, ministri i Financave pranoi se është marrë një kredi shumë e shtrenjtë që do të peshojë shumë në borxhin e vendit dhe në buxhetin e qytetarëve dhe të vendit. Ai u përpoq ta shpjegojë këtë gjë me natyrën e tregut. Ai nuk e përmendi fare se deri ku mund të shkohet me këtë arsyetim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›