Kredia, ekspertët sinjale për ulje të normave të interesit
Ekspertët e bankave sinjalizojnë për ulje të normave të interesit të aplikuara mbi kreditë që do të akordohen në tremujorin e parë të vitit 2011, kryesisht për kreditë e emetuara në lekë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, disa nga faktorët që do të ndikojnë në këtë rezultat janë ndryshimet në normat e referencës dhe ndjekja e një politike lehtësuese monetare të Bankës Qendrore.
Standardet e kredive
Megjithatë, sipas e vlerësimeve të ekspertëve të bankave, standardet e kredisë për individët gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 pritet të jenë më të shtrënguara krahasuar me nivelin aktual të tyre. Kjo do të thotë më tepër kërkesa ndaj individëve për tërheqjen e një kredie.
Shtrëngimi i standardeve do të jetë më i ndjeshëm në kreditë e dhëna me qëllim blerjen e banesës se sa për ato për konsum.
Ndërkaq, do të ndihen më tepër lehtësime të standardeve për ndërmarrjet e vogla e të mesme se sa për korporatat e mëdha dhe më shumë për qëllime të kapitalit qarkullues. Ndërkohë, kërkesa më e lartë pritet të vijë nga korporatat e mëdha se sa nga ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Aktiviteti kreditues sipas monedhës
Në tremujorin e parë të vitit 201, bankat presin rritje disi më të shpejtë të aktivitetit kreditues në lekë se sa në valutë. Përqindja neto e bankave që presin përshpejtim të rritjes së kredisë në lekë është rritur në +30% në tremujorin e katërt të vitit 2010 në krahasim me +14.7% në tremujorin e kaluar.
Ndërsa për kredinë në valutë përqindja neto e bankave që presin rritje të saj në tremujorin në vijim është ulur me 15.6 pikë përqindjeje në +21.8% nga tremujori i kaluar.
14 Shkurt 2011