E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia me probleme, BSH: Në nëntor arriti në 14,6 për qind, zgjidhja te permbarim iprivat

14/02/2011  Fullani apelon: Bankat të veprojnë për ekzekutimin e kolateralëve

Kredia me probleme është zgjeruar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar nga muaji në muaj. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore deri në fund të nëntorit 2010, niveli i kredisë me probleme arrti në 14,6 për qind të totalit të kredisë së dhënë nga i gjithë sistemi bankar. Niveli i kredisë me probleme u rrit ndjeshëm edhe gjatë vitit 2009 duke kapur nivelin 10.3 për qind nga 6.5 për qind që ishte në fund të 2008-ës. Ndërkaq, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, të cilat janë ende të paaudituara, në fund të muajit nëntor kredia e humbur në sistem ka arritur në 18,6 miliardë lekë nga 18 miliardë që ishte në muajin tetor 2010. Ndërsa kredia nënstandard arriti në 29,7 miliardë lekë në nëntor nga 28,3 miliardë lekë që ishte në tetor 2010. Kredia e dyshimtë arriti në 19,6 miliardë lekë në nëntor 2010 nga 19,2 miliardë lekë që ishte në tetor 2010. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka bërë apel për ekzekutimin e kolateralit nga ana e bankave, për ato kredi që nuk mund të rikuperohen më. “Ripërsëris kërkesën tonë që bankat të jenë aktive në trajtimin e kredive me probleme për mbledhjen e tyre. Për kreditë që vlerësohen pa shpresë arkëtimi, në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor e rregullativ, bankat duhet të veprojnë për ekzekutimin e kolateralëve. Në këtë proces ka nevojë për përmirësime të mëtejshme ligjore, për të pakësuar rrezikun e bankave në veprimtarinë e kreditimit dhe për të siguruar ulje të kostos së tij për klientët. Ky proces është i nevojshëm për të pastruar bilancet e bankave nga investime që rëndojnë ato dhe për të çliruar burime që do të përdoreshin për kredi të reja”, - është shprehur Fullani pak kohë më parë. Sipas tij, monitorimi i cilësisë së kreditimit dhe i sjelljes apo vështirësive që ndeshin bankat në këtë proces, është në qendër të veprimtarisë mbikëqyrëse.

Flet Arben Meskuti: Ky treg do të dojë edhe dy vjet për tu kristalizuar

Kreditë e këqija në dorë

të përmbaruesve privatë

Kur një klient nuk ka mundësi të shlyejë më këstet e kredisë që ka marrë në bankë, sipas kontratës, banka duhet të marrë atë që ai ka lënë garanci. Këtu hyjnë në lojë përmbaruesit, të cilat duhet të mbledhin detyrimin e lënë si “peng” nga subjektet e ndryshme që janë dorëzuar para shlyerjes së të hollave, për pamundësi financiare. Një lojë që nuk është realizuar me efikasitet nga përmbaruesit shtetërorë, për shkak të vështirësive të ndryshme. Futja e sektorit privat pritet të nxisë efikasitetin në administrimin e drejtësisë. Arben Meskuti, administratori i “Shërbimi Përmbarimor ZIG” dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, shprehet në një intervistë për gazetën “Metropol” se realisht ky treg do të dojë rreth dy vjet për tu kristalizuar. Pritshmëritë janë pozitive dhe deri atëherë sipas tij do të ketë një kërkesë të lartë lidhur me ekzekutimin e titujve ekzekutiv.

1. Shërbimi përmbarimor privat është një risi në treg që u bë realitet vitin e kaluar. Cilat janë sfidat me të cilat përballet ky treg realisht?

Për sa i përket pikëpamjes së tregut, ky i fundit funksionon nëpërmjet mekanizmave të kërkesë-ofertës dhe sfida me të cilën çdo subjekt tregtar përballet është që të mundësojë pikërisht qasjen dhe ndërveprimin e kërkesës me ofertën. Çdo subjekt që operon në këtë fushë mundohet të organizojë punën e vet në funksion të promovimit dhe menaxhimit të “produktit” që ofron në mënyrë që pritshmëritë e kërkuesve të këtij shërbimi të jenë sa më satisfaksuese. Realisht ky treg do të dojë rreth dy vjet për tu kristalizuar dhe deri atëherë do të kemi kërkesë të lartë lidhur me ekzekutimin e titujve ekzekutiv.

2. Cilat janë disa nga fushat ku është drejtuar shërbimi që ju ofroni?

Fusha e veprimtarisë së shërbimit të përmbarimit gjyqësor është vetëm ekzekutimi i titujve ekzekutivë ku të tillë janë vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë, aktet noteriale që përmbajnë detyrime në të holla, kontratat e kredive bankare etj. Pra, mund të themi se fusha e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor është e përcaktuar me ligj.

3. Si do ta vlerësonit konkurrencën me shërbimin përmbarimor shtetëror?

Në radhë të parë duhet të kihet parasysh që shërbimi përmbarimor privat, organizimi dhe funksionimi i të cilit rregullohet me ligj, nuk është krijuar për ti bërë konkurrencë atij shtetëror, por që detyrimisht është konkurrent i tij. Organizimi i këtij shërbimi në sektorin privat ka ardhur si pasojë e nevojës për efikasitet më të lartë në administrimin e drejtësisë. Ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë është pjesa finale e një procesi të rregullt gjyqësor, mungesa e të cilit cenon vetë thelbin e së drejtës. Duke pasur parasysh problematikën që shërbimi përmbarimor shtetëror ka hasur në ekzekutimin e titujve ekzekutive për arsye të ndryshme subjektive dhe objektive, u mendua që organizimi i këtij shërbimi në sektorin privat paralelisht me atë shtetëror do të sillte lehtësi dhe efikasitet në objektin e veprimtarisë së këtij shërbimi dhe do tu vinte në ndihmë qytetarëve dhe gjithë subjekteve të interesuara në ekzekutimin e titujve ekzekutivë. Për më tepër, mjafton të shohim tarifat e këtyre shërbimeve të vendosura me akte nënligjore respektove. Vihet re se tarifat e shtetit janë shumë më të ulëta se ato të sektorit privat pra, mund të themi se nëse do të konsideronim ekzistencën e një konkurrence, përballë kësaj të fundit sektori privat është më i disfavorizuar nga ai shtetëror, sepse është e kuptueshme që konsumatori i shërbimit është i prirur që të njëjtin shërbim ta kërkojë me një çmim më të ulët. Pra, sektori publik është më i favorizuar.

4. Ka pasur interes prej bankave si klientët potencialë për bashkëpunim?

Sigurisht që ka pasur pasi dihet që institucionet bankare që operojnë në Shqipëri, tashmë janë përballur me nevojën e madhe të mbledhjes së detyrimeve që u kanë subjekte të ndryshme si pasojë e kredive që kanë marrë në këto banka. Duke qenë se sipas ligjit, kontrata e kredisë bankare përbën titull ekzekutiv, domosdoshmërish bankat janë të interesuara drejtpërdrejt për të bashkëpunuar me shërbimin përmbarimor për të ekzekutuar këta tituj ku paraprakisht i janë drejtuar gjykatës me kërkesë për vendimin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit.

5. Si do ta konsideronit këtë bashkëpunim në të ardhmen? Prisni të ketë një shtim të kërkesave?

Duke qenë se subjektet që ofrojnë shërbimin përmbarimor privat janë organizuar në formën e subjekteve tregtare dhe si të tillë ofrojnë në treg një shërbim kundrejt pagesës, është normale që të jemi të hapur të promovojmë dhe mirëpresim çdo bashkëpunim me klientët potencialë sikurse janë bankat, të cilat janë të interesuara për të përfituar këtë shërbim. Kështu që duke njohur edhe problematikën që institucionet bankare kanë për mbledhjen e kredive, pritshmëritë tona janë optimiste.

Niveli i kredisë me probleme për Procredit Bank në fund të 2010-ës u ul në 2,33 për qind e totalit të portofolit të kredisë së dhënë, nga 4.80 për qind që ishte në fund të vitit 2009. Ndërsa një vit më parë në 2008, ky tregues ishte në nivelin e 3.95 për qind të totalit të kredisë së dhënë. Në vitin 2009 Procredit Bank arriti të shënonte një rritje prej 33.9 për qind të totalit të depozitave në rreth 33.8 miliardë lekë ose 245 milionë euro, pavarësisht tërheqjes masive të depozitave nga ana e qytetarëve. Ndërsa portofoli i kredisë së dhënë në vitin 2009 u rrit me 27.1 për qind në 21.1 miliardë lekë ose 153 milionë euro.

Flet drejtorja e Divizionit të Individëve dhe Bizneseve: Portofoli i kredisë me cilësi të mirë jep frymëmarrje për rritje

ProCredit do të mbështesë me

kredi biznesin e vogël dhe të mesëm

Nga 219 kredi me probleme në 2010 kanë gjetur zgjidhje 46 të tilla

Procredit Bank do të vijojë kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm përgjatë 2011-ës. Ky do të mbetet fokusi i kësaj banke, e cila ka arritur të mbajë një nivel të ulët të kredisë me probleme gjatë vitit të kaluar, prej 2,33 për qind, një nga nivelet më të mira në treg. Suksesi vjen falë punës së përgjegjshme në drejtimet e zgjerimit të portofolit të kredisë, duke menaxhuar risqet dhe ndjekur në kohë dhe në mënyrë sistematike kreditë me probleme. Në një kohë kur kredia me probleme në të gjithë sistemin bankar ka arritur në mbi 14,6 për qind deri në muajin nëntor të vitit 2010, znj. Senida Mesi drejtore e Divizionit të Individëve dhe Bizneseve, pranë Procredit Bank shprehet në një intervistë për gazetën “Metropol” se kjo është një shifër shqetësuese. Sipas saj, ky përkeqësim i portofolit prek direkt dhe përfitueshmërinë e sistemit bankar, duke ndikuar direkt në rritjen e provigjioneve dhe uljen e fitimit. Sipas shifrave zyrtare në këtë bankë, deri në fund të 2010-ës u shënuan 219 kredi me probleme nga të cilat 49 janë me hipotekë. Kjo rritje e portofolit të kredisë me probleme, por edhe një lloj ngadalësimi në zgjidhjen e çështjeve nga ana e zyrave shtetërore të përmbarimit ka sjellë një nevojë për përqafimin e sektorit privat përmbarimor. Kjo pasi sipas znj. Mesi gjatë 2010-ës nga 219 dosjet që janë dërguar pranë zyrave përmbarimore (shtetëror dhe privat) kanë gjetur zgjidhje vetëm 46 kredi. Ajo shprehet me optimizëm për bashkëpunimin me sektorin privat, i cili është ende në hapat e para. “Suksesi i Përmbarimit Privat varet shumë dhe nga vendosmëria e bankave për të proceduar shpejt me kreditë problematike dhe si ky proces do të monitorohet nga sistemi bankar duke synuar mbajtjen nën kontroll të kostove totale për kreditë problematike”, - shprehet ajo. Sa kohë sipas saj do të ekzistojë kërkesa nga sistemi bankar dhe oferta do të jetë në nivelin e duhur, rikuperimi i kredive të këqija do të marrë një trend pozitiv.

1. Jeni optimistë për zhvillimin e ekonomisë gjatë vitit 2011? Sa e parashikoni të jetë rritja ekonomike sipas jush këtë vit, më e lartë apo më e ulët se viti i kaluar?

Shqipëria përballoi me sukses krizën ekonomike, me një rritje pozitive, ndërkohë që shumë vende të botës, përfshirë këtu dhe vendet fqinje patën rënie. Për këtë vit, ku edhe ekonomia botërore po shënon rritje, Shqipëria pritet të ketë të njëjtën rritje me vitin që kaluam, pse jo edhe më pozitive. Edhe pse sfidë e këtij viti do të jetë mbajtja në nivele të pranueshme të inflacionit, papunësisë dhe një ulje e deficitit buxhetor, duke synuar kështu më shumë investime në infrastrukturë. Për vetë infrastrukturën e Shqipërisë, përparësi do të ketë bujqësia dhe turizmi, investimet në infrastrukturën lokale dhe rajonale, duke siguruar kështu edhe një bashkëpunim më të madh rajonal, ndërballkanik. Që të kemi edhe një rritje të investimeve të huaja dhe një mbarëvajtje më të mirë të ekonomisë vendase, kusht i domosdoshëm është edhe sigurim i të drejtave të pronësisë dhe përmirësimi i kuadrit rregullator dhe transparenca legjislative. Nëse për 2011-ën flasim për një rritje ekonomike të vendeve fqinje apo aty ku shqiptarët jetojnë si emigrantë prej shumë vitesh, të bën të mendosh që edhe remitancat do të shënojnë rritje, duke ndihmuar si gjithmonë rritjen ekonomike shqiptare dhe rritje të ofertës së parasë në treg. Lëvizja e lirë në Evropë do të ketë benefitet e saj. Qarkullimi i lirë i individëve dhe punonjësve, rritja e konkurrencës, mundësi më të mëdha për biznesin për huazim teknologjish të reja dhe mënyrash të reja të të bërit biznes, të gjitha këto janë faktorë pozitivë dhe nxitës së rritjes ekonomike shqiptare.

2. Niveli i kredisë me probleme, sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 14.6 për qind kundrejt totalit të kredisë së dhënë në muajin nëntor të vitit 2010. Si do ta vlerësonit këtë shifër, a është shqetësuese për sistemin bankar në tërësi?

Sigurisht që një shifër e tillë është shqetësuese për sistemin bankar. Përkeqësimi i portofolit të kredisë bëri që të vendoseshin ekuilibra të rinj midis kërkesës dhe ofertës për kredi. Nevojat e bizneseve u fokusuan më shumë në kërkesën për ristrukturime të kredive aktuale dhe oferta e bankave u spostua në financime për likuiditet më të madh apo financime në sektorë ekonomikë që patën rritje dhe plane investimesh që sillnin risi. Ky përkeqësim i portofolit prek direkt dhe përfitueshmërinë e sistemit bankar, duke ndikuar direkt në rritjen e provigjioneve dhe uljen e fitimit. Normalisht një gjë e tillë orienton dhe përkrahjen ndaj kreditimeve më të sigurta duke tkurrur dhe ofertën për kredi në sistemin bankar. Përkeqësimi i portofolit të kredisë në tregun bankar implikon një orientim më të mirë drejt përmirësimit të menaxhimit të riskut të kredisë, ndërtimit të politikave dhe procedurave më eficiente të menaxhimit dhe rikuperimit në kohë të kredive me probleme, ngritjen e strukturave me eficiente dhe fleksibile.

3. Si do ta vlerësonit ecurinë e kredisë me probleme, në raport me totalin e kredisë së dhënë në bankën tuaj?

ProCredit Bank me politikën e saj të orientuar drejt një rritje të portofolit të kredisë në mënyrë të përgjegjshme, me një politike risku të mirëmenaxhuar dhe një menaxhim në kohë dhe sistematik të kredive me probleme, shënoi në dhjetor 2010, një portofol të kredisë me probleme (PAR> 90 Ditë, portofol në risk mbi 90 ditë) prej 2.33%, duke qenë të bindur që është një raport ndër më të mirët në tregun bankar. Një ecuri kaq e mirë e portofolit të kredisë vjen edhe si pasojë e diversifikimit të portofolit të kredisë. Një ecuri e tillë është për tu përgëzuar. Për vitin 2011 ProCredit Bank është e përkushtuar që të përmirësojë edhe më shumë cilësinë e portofolit të saj, nëpërmjet ngritjes së sistemeve të brendshme dhe të jashtme të menaxhimit të kredive me probleme. Sigurisht këtu nuk mund të rri pa përmendur dhe pikën tonë më të fortë që është stafi i përkushtuar dhe i dedikuar për të realizuar objektivat e vëna për një portofol kredie me volum më të madh dhe cilësi më të mirë. Viti 2011 për Procredit Bank është një vit me sfida të mëdha edhe në fushën e kreditimit, fokusi jonë ka qenë dhe do të mbetet kreditimi i biznesit të vogël dhe të mesëm dhe një portofol kredie me cilësi të mirë të jep frymëmarrje për rritjen e synuar.

4. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka bërë apel për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore rast pas rasti për kredinë e pakthyer. Është një problem ky në bankën tuaj dhe nëse mund të jeni më konkret sa është numri i dosjeve që presin zgjidhje për këtë çështje?

Banka e Shqipërisë ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me politikat e saj monetare ka dhënë një kontribut për tu përgëzuar në mbajtjen e çmimeve nën kontroll, çmime të cilat kohët e fundit po bëjnë një presion për rritje të mëtejshme. Nëpërmjet politikave dhe vendimeve të tjera të Bankës së Shqipërisë, Shqipëria nga një cash ekonomik po zhvendoset dita-ditës në një ekonomi jo-cash. Në këtë kuadër apeli i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Fullani do të ketë impaktin e tij dhe pranë zyrave përmbarimore, në mënyrë që dosjet e dërguara pranë këtyre zyrave, të gjejnë sa më shpejt zgjidhje. Aktualisht shënohen 219 kredi të dërguara gjatë 2010 në zyrat përmbarimore (Shtetëror dhe Privat), nga të cilat 49 me hipotekë. Deri tani kanë gjetur zgjidhje vetëm 46 kredi.

5. Përkrah shërbimit përmbarimor shtetëror tani janë edhe 62 përmbarues privatë të licencuar. Ju si e vlerësoni bashkëpunimin me këtë shërbim? A ju ka ardhur në ndihmë dhe si konkretisht, krahasuar me atë shtetëror?

Konkurrenca dhe sistemi privat ka provuar të jetë i suksesshëm dhe një vet rregullator shumë i mirë. Parimi “laisser faire” nën një mbikëqyrje të organeve kompetente, ka bërë që ekuilibrat makroekonomikë të vendosen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bërë që palët e interesuara, kërkesa dhe oferta të takohen në treg dhe të gjejnë atë që kërkojnë. Kjo gjë besoj që të funksionojë edhe për sistemin privat përmbarimor. Për sa kohë që ekziston kërkesa nga sistemi bankar për këtë shërbim dhe nëse edhe oferta do të jetë në nivelin e duhur, atëherë ka shumë gjasa që kjo do të ndikojë pozitivisht në rikuperimin e kredive të këqija. Sistemi privat përmbarimor është ende në fillimet e tij. ProCredit ka nisur bashkëpunimin me shërbimin privat përmbarimor që nga mesi i dhjetorit 2010. Suksesi i Përmbarimit Privat varet shumë dhe nga vendosmëria e bankave për të proceduar shpejt me kreditë problematike dhe si ky proces do të monitorohet nga sistemi bankar duke synuar mbajtjen nën kontroll të kostove totale për kreditë problematike. Kuadri rregullator për shërbimin përmbarimor privat është gati, por mund të kërkojë herë pas here përmirësim të çështjeve që dalin gjatë procesit në mënyrë që ky sistem të funksionojë më së miri. Nëse duam të bëjmë një krahasim shërbimi përmbarimor privat ka qenë më rezultativ dhe efektiv dhe se përmbarimi shtetëror. Procedurat bëhen pa rezistencë, afatet janë shkurtuar dhe cilësia e shërbimit është më e lartë. Pritshmëritë për ProCredit Bank ndaj shërbimit privat përmbarimor janë shumë më të larta dhe besojmë në një bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›