E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia me probleme në 2009 u rrit në 10.4%

Viti i kaluar ishte një vit i vështirë ekonomik në Shqipëri, jo vetëm për aktivitetin ekonomik në përgjithësi, por edhe për individët e thjeshtë. Kriza globale reflektoi efektet e saj edhe në ekonominë tonë, duke krijuar vështirësi edhe në likuiditet. Kjo bëri që kredimarrësit, si biznesi dhe individët, të mos jenë shumë korrektë në kthimin e saj pranë bankave të nivelit të dytë. Të dhënat e publikuara dje nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, i cili paraqiti raportin vjetor të 2009-s, flasin për ulje të ritmit rritës së ekonomisë për vitin që kaloi. Një tregues negativ paraqesin kreditë me probleme, të cilat shënojnë një rritje të ndjeshme për vitin që lamë pas. Sipas Fullanit, gjatë vitit 2009 u vu re një ulje e eksporteve, një ulje e të ardhurave të emigrantëve, duke çuar kështu në rënien e besimit tek institucionet financiare. Fullani theksoi se kreditë me probleme në vitin 2009 arritën në masën 10.4%, ndërkohë që një vit më parë, pra në vitin 2008 ishin në masën 6.4%. Ndërkaq, sa i përket deficitit buxhetor, Fullani nënvizoi se arriti në masën 7%, kurse borxhi publik në 59.5% të GDP-së. Banka e Shqipërisë (BSH) vlerëson se gjatë vitit 2009 aktiviteti ekonomik në vendin tonë u ngadalësua dhe se ky fakt u vërejt në disa aspekte. Të gjitha këto të dhëna, sipas Fullanit, dëshmuan për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik që vjen përgjithësisht si pasojë e krizës globale. Tronditja që pësoi sistemi financiar krijoi një mjedis të vështirë për transmetimin e plotë dhe në kohë të politikës monetare. Në këto kushte sfiduese, Banka e Shqipërisë arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi: inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit tonë prej 3 + 1 për qind gjatë vitit 2009, - tha Fullani. Guvernatori nënvizoi në fjalën e tij se Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2009 u rrit me 4.9 për qind në terma vjetorë. Ritmet e rritjes vjetore të tij janë karakterizuar nga një rënie progresive, nga 5.4 për qind në tremujorin e parë, në 4.1 për qind në tremujorin e tretë. Ai tha se duke mbetur në pritje të statistikave zyrtare të INSTAT-it, vlerësimet paraprake tregojnë se rritja ekonomike për vitin 2009 është luhatur rreth nivelit 3 për qind. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë, - tha Fullani, - kërkon nga qeveria rishikimin e planeve të biznesit gjatë këtij viti, si dhe përsëriti kërkesën për uljen e borxhit, si dhe kreditimin e ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›