Italia dhe Shqipëria 2010
Shkëlqesi, sapo është mbyllur muaji i parë i aktiviteteve të sezonit të eventeve “Italia dhe Shqiperia 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi” organizuar nga Ambasada italiane. Cili është bilanci i këtyre veprimtarive deri në këtë çast? A do të mund të na jepnit ndonjë informacion paraprak rreth eventeve që do të pasojnë programin?
Duhet të them se suksesi i sezonit “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy Popuj, një Det, një Miqësi” i tejkaloi pritshmëritë tona dhe imazhi që e përfaqëson më së miri këtë sukses është Pallati i Kongreseve të Tiranës, i tejmbushur me njerëz në spektaklin ë kërcimtarëve akrobatë të grupit Kataklò. Muaji i parë i eventeve ka mirëpritur veprimtari të rëndësishme si ExpoScuola-DireFuturo, Opera Rigoletto, koncerti i Maestro Campanella dhe nisma kulturore promozionale “Poezia e Verës”: të gjitha këto, evente që kanë korrur mjaft sukses si në publik ashtu dhe tek kritika. Jam vërtet i kënaqur me mënyrën sesi filloi ky sezon eventesh dhe me vazhdimin e mëtejshëm. “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy Popuj, një Det, një Miqësi” po përgatitet të hyjë në thelbin e saj me nisjen më datë 12 prill, të ciklit të iniciativave “1990/2010 – Kooperacioni italian për Zhvillim në Shqipëri” organizuar nga Ambasada italiane për të vënë në pah atë çka është realizuar përgjatë këtyre viteve në Shqipëri dhe për të reflektuar së bashku rreth proçeseve të ardhshme të zhvillimit .
Por prilli nuk do të jetë vetëm muaji i Kooperacionit për Zhvillim, por edhe muaji i takimeve të rëndësishme kulturore si është rasti i dy ekspozitave prestigjoze të artit, “Classici splendori dhe Atmosfera të viteve ‘900 nga koleksioni i Ca’ la Ghironda”. Për sa i përket profilit ekonomik kësaj here do të mund t’ju zbuloj diçka rreth Konferencës ndërkombëtare për Korridorin VIII ku do të jetë i pranishëm edhe Ministri i Transportit italian Matteoli.
Me pak fjalë, këto dhe shumë veprimtari të tjera do të çojnë përpara “pranverën italiane në Shqipëri.”
Zoti Ambasador D’Elia, ashtu sikurse përmendët, Kooperacioni për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme italiane është i pranishëm që prej 20 vjetësh me aktivitetin e tij në Shqipëri. Cilat janë rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe dhe cilat janë perspektivat e ardhshme?
Që nga viti 1990 Italia, nëpërmjet iniciativave të Bashkëpunimit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, mbështet dhe plotëson autoritetet shqiptare në procesin e vështirë të stabilizimit dhe të konsolidimit demokratik dhe institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik.
Angazhimet e deri më tanishme të Kooperacionit tonë arrijnë në 650 milionë euro, një shifër e cila e rendit Italinë në vendin e parë ndërmjet "donatorëve Vende" dhe në vendin e tretë ndërmjet donatorëve ndërkombëtarë pas Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore.
Kësaj i shtohet dhe roli po kaq i rëndësishëm i shumë institucioneve të tjera dhe OJQ-ve italiane, të cilat e çojnë kontributin për zhvillim të “sistemit Itali” për Shqipërinë në mbi një miliard euro.
Strategjia e pjesëmarrjes së Kooperacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane ka ndjekur rrugën që ka bërë ky vend përgjatë 20 viteve të fundit , me ndërhyrje emergjence në vitet ’90, të cilat u pasuan nga veprime më të strukturuara.
Aktiviteti i shumëllojshëm i Kooperacionit për Zhvilim është përqëndruar vitet e fundit në ndërhyrje në sektorin e infrastrukturës dhe në veçanti të transportit, energjisë dhe sistemeve hidrike, pa e shkëputur vëmendjen nga përmirësimi i marrjes së shërbimeve bazë, si arsimi dhe shëndetësia, nëpërmjet projekteve në bashkëpunim me Organizatat Ndërkombëtare si OMS, OIM, UNESCO, UNPD, dhe Bashkimin Europian.
Aktualisht po mbështesim zhvillimin e sipërmarrjes private dhe, duke hyrë në hollësi, të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme shqiptare, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë proçeseve të decentralizimit dhe zhvillimit lokal.
Në fakt, ne së bashku me autoritet shqiptare, gjykojmë se është e volitshme të mbështesim zhvillimin e rrjetit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha, duke ndihmuar kështu në konsolidimin e një ekonomie të shëndetshme, ndër të tjera edhe nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës, formalizimin e kapaciteteve prodhuese ekzistuese si dhe një shpërndarje më të njëtrajtshme të prodhimit në territor.
Për pak ditë, më 12 prill, Ministri Italian i Punëve të Jashtme Frattini do të jetë në vizitë zyrtare në Shqipëri. Cilat do të jenë pikat më të rëndesishme të kësaj vizite?
Vizita në Shqipëri e Ministrit Frattini, gati një vit e gjysëm nga ajo e mëparshmja dhe disa muaj para asaj të Ministrit Meta, do të zhvillohet në kuadër të marrëdhënieve shumë të mira politike mes Italisë dhe Shqipërisë. Vazhdimësia e takimeve, edhe në nivelet e larta midis dy Shteteve janë një dëshmi e mëtejshme. Më 12 Shkurt, takimi i fundit i Kryeministrit italian dhe atij shqiptar solli si rezultat nënshkrimin e një Deklaratë Solemne te Partneritetit Strategjik: një mjet politik shumë i rëndësishëm për të strukturuar,intensifikuar dhe thelluar dialogun dypalësh në drejtimet e tij të shumta.
Gjatë vizitës së tij, Ministri Frattini do të ketë mundësinë të bëjë një pasqyrim të fushave kryesore të bashkëpunimit dypalësh si dhe të çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale me interes te përbashkët me bashkëbiseduesit shqiptarë, duke konsideruar edhe faktin që Shqipëria është gjithmonë e më shumë aktor në skenat rajonale dhe ndërkombëtare.
Ministri Frattini do të përurojë më pas ciklin e veprimtarive kushtuar Kooperacionit për zhvillim “ 1990/2010 – Kooperacioni italian për Zhvillim në Shqipëri”, evenimente që do të fillojnë më datë 12 prill dhe do të vazhdojnë deri në mes të majit si aktivitete me një vlerë të rëndësishme në kuadër të “ Italia dhe Shqipëria 2010- dy Popuj, një Det, nje Miqësi”.
Vizita do të karakterizohet nga momenti kyç i nënshkrimit nga ana e Ministrit Frattini të Protokollit Shumëvjeçar (2010- 2012) të Kooperimit për Zhvillim midis Italisë dhe Shqipërisë për një vlerë prej 51 milion euro: 51 milion euro që do të synojnë kryesisht Programin për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shqiptare; sektorin bujqësor me qëllim fuqizimin e veprimtarisë së Ministrisë së Bujqësisë shqiptare si dhe plotësimin e hendekut social ekonomik midis zonave rurale dhe zonave urbane; si dhe zhvillimin social duke treguar vëmendje të veçantë për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Shkëlqesi , një pyetje të fundit mbi politikën e brendshme shqiptare: mendoni se kriza politike po dëmton proçesin e liberalizimit të vizave dhe ecurinë drejt integrimit të Shqipërisë në BE ? Si mund të shbllokohen dhe të inkurajohen shqiptarët dhe politika shqiptare ?
Italia ka mbështetur gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane dhe liberalizimin e vizave Shengen brenda një afati të shkurtër. Kriza parlamentare rrezikon të ndikojë negativisht në afatin e integrimit evropian. Pikërisht, së fundi, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha në Romë, Kryeministri Berlusconi theksoi edhe një herë pozicionin absolutisht mbështetës të Qeverisë Italiane në proçesin e integrimit dhe atë të liberalizimit te vizave me BE-në për qytetarët shqiptarë, që shpresojmë të formalizohet në muajt e ardhshëm.
Urojmë që dialogu politik i shëndetshëm, konstruktiv dhe demokratik mes forcave kryesore politike të maxhorancës dhe opozitës të zhvillohet në shtratin e tij të natyrshëm, në Parlament.
Janë vërejtur sinjale pozitive në këtë drejtim por nuk mjaftojnë thjesht disa konvergjenca që kufizohen thjesht me paraqitjen e mocioneve të kërkesave drejtuar BE-së për përshpejtimin e afateve për liberalizimin e vizave. Mbi të gjitha është e domosdoshme kryerja e reformave të dobishme për të arritjen e objektivave të paracaktuara.
Urimi im është që të mbahet një qëndrim politik i pjekur dhe i përgjegjshëm në të mirën e Vendit. Shqipëria, në fakt nuk mund t’i lejojë vetes ngadalësimin e reformave dhe zbatimin e tyre konkret, çka do të ishte tejet e dëmshme.
#