E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clash of the Titans, premierë në Millennium

Një udhëtim fantastik dixhital në mitologjinë greke, me një betejë mes njerëzve, zotave dhe përbindëshave. Ndërsa jehona e premierës së Clash of the Titans është akoma e freskët së bashku me kritikat pozitive të shtypit të huaj, të specializuar, beteja mitike mes njerëzve, mbretërve dhe perëndive vjen edhe në Tiranë. Kinema Millennium sjell këtë superprodhim epik edhe për publikun shqiptar i cili do të ketë mundësi të shikojë këtë film që nga data 8 prill. Clash of the Titans është një film epik që gërsheton aventurën dhe misterin, realen dhe irrealen. Ai është konsideruar nga kritika si një udhëtim i suksesshëm fantastik dixhital në mitologjinë greke, me një beteje mes njerëzve, zotave dhe përbindëshave. Filmi është përcaktuar edhe si një provë për yllin e ri të kinemasë, Sam Worthington. Por aktori i cili në film është Perseu, nuk është i vetëm pasi në krah të tij interpretojnë edhe Liam Neeson (Zeus), Ralph Fiennes (Had), Jason Flemyng (Calibos), Gemma Arterton ( Io) apo Alexa Davalos (princesha Andromeda) Që nga dita e premierës së tij, filmi ka arkëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 61,400,000 dollarë, duke u renditur në krye të listës së filmave më të ndjekur aktualisht nga publiku amerikan. Clash of the Tirans ngrihet mbi një betejë mitologjike për pushtetin që kundërvë njerëzit me mbretërit dhe këta të fundit me zotat. Por lufta mes perëndive mund të shkatërrojë botën. I lindur nga zot, por i rritur mes njerëzve, Perseu përpiqet të shpëtojë familjen e tij nga Hadi dhe hakmarrja e kundërshtarëve. Ai drejton një mision për të shkatërruar Hadin e për ta bërë këtë atij i duhet e kalojë në botë të panjohura e të ndaluara.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›