E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Gjysëm KQZ-ja nuk na pengon për një proces të ndershëm zgjedhjesh

Meta ne Konventen Kombetare te LRINë një intervistë dhënë për radio Deutsche Welle, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vë në dukje se edhe më këtë gjysmë KQZ mund të zhvillohet një proces i ndershëm zgjedhor, por duke theksuar nëse mazhoranca nuk vazhdon të vërë më dorë mbi zgjedhjet. Ai flet edhe për miratimin e tri ligjeve.

Zoti Meta, a mund të shkojnë shqiptarët në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit me një KQZ të paplotë?
Opozita ka bërë të gjitha përpjekjet e saj konstruktive për të evituar një situatë të tillë, pra një ngërç të tillë politik, që është krijuar nga një gjysëm KQZ-je. Ajo ka qenë tërësisht reflektare, kur mazhoranca duke shkelur Kushtetutën, kodin zgjedhor dhe konsensusin realizoi dhunimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këto kushte opozita në Shqipëri ka treguar vetëpërmbajtje. Ajo natyrisht që ka demonstruar vullnetin e saj të plotë për të bërë gjithçka që është e mundur që situata lidhur me standartin e zgjedhjeve të mos përkeqësohet më tej. Ka marrë pjesë dhe po merr pjesë aktive në të gjitha nivelet e tjera të administrimit dhe është e koncentruar në mbrojtjen e votës së çdo qytetari shqiptar dhe do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë konstruktive për të patur zgjedhje të lira e të ndershme, pavarësisht nga gjendja në të cilën ndodhet KQZ-ja dhe standardi që ajo përfaqëson tashmë.
Nisur nga përvoja e hidhur në këto vitet e fundit me KQZ, të krijohet përshtypja se do të kemi përsëri situata acaruese pas procesit zgjedhor, deri edhe në stërzgjatje të njohjes së rezultateve apo të mosnjohjes së tyre. Pra edhe një krizë politike më pas. Ju jeni të këtij mendimi?
Ne jemi të prirur si opozitë që me një vullnet të mirë ti shërbejmë jo acarimit të situatës politike. Ne jemi për një mbarëvajtje të procesit zgjedhor pavarësisht nga gjendja që ndodhet KQZ-ja e cila çdo ditë në fakt komprometon karakterin e saj patriark në vendimet e ndryshme që merr, por absolutisht që kjo nuk e pengon opozitën që të ketë besim të plotë dhe të angazhohet totalisht për të marrë pjesë në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor dhe për të garantuar integritetin e votës së çdo qytetari shqiptar. Në rast se do të ketë përpjekje të tjera për të vendosur dorë mbi procesin zgjedhor dhe mbi votën e qytetarëve shqiptarë, atëherë përgjegjësinë nuk do ta mbajë vetëm gjysëm KQZ-ja, por ata që provokuan këtë përçudnim të këtij institucioni të pavarur kushtetues dhe që nuk durojnë dot të presin me qetësi verdiktin e lirë dhe të drejtë të mbarë qytetarëve shqiptarë.
Nuk do të ishte më mirë zoti Meta që të zëvendësoheshin këta tre anëtarë të Komisionit, duke i prerë rrugën kështu çdo provokimi të ardhshëm? A ka shanse për një kompromis dhe një arritje konsensusi që di t’i paraprinte një situate më të sigurtë zgjedhjesh?
Sigurisht që më e mira do të ishte që Komisioni, pra ky institucion i pavarur të mos ishte dhunuar. Por pas kësaj që ka ndodhur nuk mendoj se është detyra e opozitës që thjesht të çojë tre emra, apo të punësojë thjesht tre përfaqësues, tre ekspertë të tjerë, kur askush në Shqipëri nuk beson më se pas atentatit që iu bë pavarësisë dhe integritetit të KQZ, mund të tejkalohet kjo gjë.
Por a mund të vërë kjo në diskutim rezultatin zgjedhor?
Normalisht zgjedhjet nuk bëhen në KQZ, ato zhvillohen në qendrat e votimit dhe në qendrat e numërimit dhe në Komisionet zonale, ku opozita ka marrë pjesë dhe do të marrë pjesë duke kontribuar në atë që të garantohet standardi gjatë ditës së votimit dhe në atë të numërimit të votave. Në rast se gjysëm-KQZ-ja do të përpiqet të ndërhyjë në verdiktin që do të japin qytetarët shqiptarë, atëherë po e theksoj edhe një herë se nuk do të jetë përgjegjësia e gjysëm-KQZ-s, por e atyre që e prodhuan këtë gjysëm-KQZ.
Zoti Meta, edhe pse situata duket jo e këndshme në këtë prag zgjedhjesh, në një kohë që BE pret standarde vërtet të larta më 23 qershor, ju jeni i vetmi politikan që këmbëngulni megjithatë në miratimin e tre ligjeve. Pse gjithë ky insistim tani?
Këmbëngulja ime lidhet në fakt me dëshirën jo vetëm timen, por besoj të të gjithë shqiptarëve, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Dhe nëse këto tre ligje nuk do të miratohen brenda këtyre ditëve, atëherë çështja e statusit jo vetëm që është e pamundur të merret brenda këtij viti, pra deri në muajin dhjetor, por ajo mund të shtyhet në kalendat greke. Unë mendoj se kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe që ne të humbisnim një mundësi shumë të madhe, e cila nuk ka të bëjë me fatin e një partie apo thjesht të forcave politike, por ka të bëjë me interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, me kredibilitetin e vendit, me kredibilitetin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit.

Topalli: Opozita të sjellë tre emrat për KQZ-në dhe ne mbledhim Kuvendin

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se mazhoranca është e gatshme që të mbledhë Kuvendin për të miratuar tre emrat e opozitës për vendet e lëna bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklaratat e saj u bënë gjatë një takimi me zotin Roberto Battelli, koordinator special dhe kryesues i misionit të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, i caktuar nga Kryetari i OSBE-së. Kemi miratuar me konsensus kuadrin zgjedhor, duke reflektuar në të, të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR, bazuar mbi propozimet e opozitës, tha Topalli. Jemi të gatshëm të mbledhim Parlamentin në çdo moment për të votuar tre emrat për vendet e lëna bosh nga Partia Socialiste dhe opozita, vijoi kryetarja e Kuvendit. Batelli zhvilloi një takim edhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Duke diskutuar mbi situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Meta tha se integriteti i këtij institucioni është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale. Sipas tij, për LSI-në është e rëndësishme që të rivendoset konsensusi dhe besimi te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke i rikthyer legjitimitetin këtij institucioni. Meta tha se i takon mazhorancës të tregojë reflektim, të tregojë përgjegjshmëri në këtë drejtim, ndërkohë që ai garantoi delegacionin e OSBE-së që opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›