Kreditë, bankat rrisin interesat dhe procedurat, por nuk ndërpresin dhënien
Ervin KOÇI
“Kreditimi bankar është një proces që vijon normalisht, por vetëm sa kanë ndryshuar procedurat dhe interesat”. Ky është mendimi i ekspertëve të tregut bankar në vend, të cilët nuk shohin vend për të pasur panik nga ana e qytetarëve ose e bizneseve. Sipas tyre, bankat private në vend nuk kanë se si të mos japin kredi, pasi aty ato sigurojnë ndër fitimet më të mëdha, por të nisura edhe nga kriza ekonomike ndërkombëtare, ato thjesht janë trembur disi dhe kanë shtrënguar masat e sigurisë së bashku dhe me interesat. Ekspertët e Shoqatës së Bankave thonë se këto masa që po ndiqen tashmë nga të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, janë marrë për të zvogëluar në minimum efektin negativ që mund të vijë nga kreditimi i tepërt dhe me elementë të pakët garancie. Ata pranojnë edhe rritjen e normave të interesit të të gjitha produkteve bankare, të cilat sipas tyre, nuk janë rritur vetëm nga bankat në Shqipëri, por në të gjithë tregun bankar botëror. Sipas Elvin Mekës, sekretar i Shoqatës së Bankave, “qytetarët, por edhe bizneset, do të paguajë më shumë tani si pasojë e rritjes së përqindjeve të interesit, i cili vjen si pasojë e një perceptimi në rritje të rrezikut që ekziston. Në të gjithë botën produktet financiare janë shtrenjtuar dhe kjo tendencë është vërejtur edhe këtu tek ne”. Ndonëse kjo rritje rëndon në xhepat e konsumatorit, eksperti i Shoqatës së Bankave shprehet se, kjo është një nga format që bankat përdorin për të pasur një situatë të shëndetshme financiare. Nga ana tjetër, bankat që kanë rritur normat e interesit të kredive deklarojnë se e kanë bërë këtë “për të përballuar çdo të papritur negative”. Rrezikun më të lartë ato e shikojnë tek bizneset të cilët marrin shuma të mëdha kredish. Gjithashtu pasojat e krizës kanë dhënë efekt te kreditë e këqija si dhe në kreditë me probleme. Sipas ekspertit të financave, Adrian Civici, “kredia me probleme dhe ajo e klasifikuar si e keqe është rritur në masën 2 për qind, shifër që nuk konsiderohet shumë shqetësuese”.
Rritja e interesave
Nëse në muajt e fundit jeni hasur me ndryshime të këstit të kredive në mënyrë të vazhdueshme dhe me tendencë rritjeje, kjo vjen si pasojë e rrezikut të lartë për mosshlyerjen e kredisë në kohë. Shqiptarët pranuan të paguajnë interesa më të larta për kreditë në lekë dhe në euro, si pasojë e rritjes së primeve të rrezikut në ekonominë shqiptare gjatë muajit mars 2009. Kjo gjë bëhet e ditur nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave “interesat e kredive afatgjata në lekë u rritën me 0.43 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.67 për qind në krahasim me dhjetorin 2008, si pasojë e tendencës nënçmuese të monedhës shqiptare”. Kreditë afatgjata janë ato që kanë afat maturimi mbi 5 vjet dhe zakonisht merren për të financuar blerjen e shtëpive. Gjatë marsit, interesi i tyre ishte mesatarisht 16.61 për qind në terma realë. BSH-ja llogarit interesin real të paguar nga klienti, ndërkohë që bankat zakonisht e ndajnë koston e kredisë në interesa dhe komisione. Por rritja e interesave ishte edhe më e lartë për kreditë afatshkurtra, 6 deri në 12-mujore dhe ato afatmesme, 1 deri 3-vjeçare. Për kreditë me afat maturimi trevjeçar në lekë, u pranua të paguhet mesatarisht 16.61 për qind. Në krahasim me shkurtin, interesi u rrit me 1.661 për qind, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin, rritja ishte 4.43 për qind.
Kreditë në euro
Kreditë në euro kanë pësuar gjithashtu rritje në tregun shqiptar, pavarësisht se kostoja e euros në tregun ndërkombëtar është ulur në minimumin historik. Gjatë marsit, kredia me afat maturimi 1-3 vjet u shtrenjtua me 1.28 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.78 për qind në krahasim me marsin. Kredia afatgjatë në euro pati interesa pothuajse të pandryshuara. Gjatë marsit, interesi mesatar për kreditë e reja në euro varioi nga 7.07 për qind në 9.67 për qind në varësi të afatit të maturimit. Interesat e kredive në euro janë ulur në të gjitha vendet për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane. Euribor, interesi i kredidhënies mes bankave, është ulur nga 4.7 për qind një vit më parë, në më pak se 2 për qind aktualisht. Por shqiptarët duket se nuk po përfitojnë shumë nga kjo zbutje e politikës monetare evropiane, kryesisht për shkak se bankat në Shqipëri synojnë të nxisin kredimarrjen e shtrenjtë në lekë.
Bashkë me interesat e kredive rriten dhe kërkesat për dokumentacion shtesë
Interesat e kredive në lekë dhe valutë janë rritur së bashku me kërkesat e bankave në lidhje me dokumentet që duhet të paraqesin klientët e ndryshëm (individë ose subjekte). Bankat nuk mjaftohen vetëm me disa dokumente por ato u kërkojnë klientëve, madje edhe subjekteve të biznesit, një mori letrash të cilat duhet të justifikojnë kërkesën për huamarrjen. Bashkë me interesat e kredive nga bankat e nivelit të dytë, është rritur edhe interesi i bonove të thesarit, edhe pse politika e BSH-së gjatë vitit të fundit ka synuar të ulë interesat e parasë në tregun e brendshëm. BSH-ja ka ndërhyrë disa herë në treg duke ulur normën bazë të interesit në ekonomi, por kjo masë nuk ka ndikuar fare në uljen e interesave për kredimarrësit e thjeshtë. Shumë analiza tregojnë se interesat e kredive dhe depozitave në lekë varen më së shumti nga oreksi i qeverisë për borxh të brendshëm. Kur qeveria e rrit kërkesën për bono thesari, edhe interesat e kredive e depozitave rriten. Por gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat e bonove të thesarit janë rritur me rreth 50 pikë bazë, interesat e kredive janë rritur disa herë më shumë.
BQE ul normën e interesit në minimumin historik
Banka Qendrore Europiane ka ulur sërish ditët e fundit normën e interesit në 1 për qind, nga 1.25 për qind që përbën edhe rekordin historik. Vendimi u mor gjatë një mbledhje të këshillit drejtues të bankës në Frankfurt dhe do të zbatohet më 13 maj. Kjo është bërë me qëllim që t’i jepet nxitje ekonomive të 16 vendeve, që e përdorin euron. Ulja e normës së interesit e çon vlerën e parasë në minimumin historik që kur Banka ka nisur të drejtojë politikën monetare në 1999. Megjithatë, kjo ulje e normës së interesit ishte e pritur. Më herët këtë javë, Komisioni Europian njoftoi se Europa ndodhet në recesionin më të thellë prej Luftës së Dytë Botërore dhe parashikoi se ekonomia mund të shënojë rënie prej 4 për qind këtë vit.
8 Maj 2009