E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Bojkoti e bëri efektin e tij, e pajustifikuar që PS të rrijë jashtë Kuvendit



Roland Qafoku

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi në një intervistë në Ora News me gazetarin Roland Qafoku, tha dje se një bojkot i ri i deputetëve të PS do të ishte i panevojshëm. Pëllumbi shprehet se vazhdimi i një situate të tillë politike, ka si zgjidhje vetëm zgjedhjet e parakohshme.
Zoti Pëllumbi, duke analizuar periudhën paszgjedhore, ku ka punuar mirë dhe ku ka gabuar maxhoranca dhe opozita?
Të bësh një analizë totale të ngjarjeve nuk është e lehtë brenda një interviste të shkurtër televizive. Tek ne gjithnjë e më pak politikë bëhet. Maxhoranca thotë se unë nuk pyes për opozitën, Kryeministri del dhe thotë se do t'i thyej opozitës dhëmbë e dhëmballë e më pas dhe nofullat. Një gjë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të botës. Apo në seancën e fundit thotë se unë ia dhashë pushtetin opozitës. Kjo nuk është politikë, por monopolizim i politikës sipas interesave të pushtetit. Maxhoranca duhet të jetë shumë e interesuar ta ketë opozitën në Kuvend.
Si e analizoni opozitën në këto muaj, a e ka bërë ajo punën e saj?
Unë jam i shqetësuar për opozitën, sepse unë jam socialist i vjetër, siç e thatë dhe ju, dhe është dëshira ime që PS të jetë sa më funksionuese, dhe po ashtu dëshira ime është të jap mesazhe sa më demokratike dhe të bëj politikë në interes të vendit. Unë i kam bërë dhe kritika opozitës, duke e quajtur para zgjedhjeve dhe "opozitë të trukuar", në disa aspekte. Unë do dëshiroja që ta kujtoja atë moment, jam prononcuar dhe publikisht dhe në Asamblenë Kombëtare. Kur ndodhi ajo e 28 qershorit, atëherë lidershipi i PS e kuptoi mesa duket se kishte gabuar në disa aspekte, se i kishte besuar më shumë seç duhej Sali Berishës. Nuk mund të mos bëja vërejtje se si u bënë ndryshimet në kushtetutë, pa konsultime me specialistët, apo ndryshimi i Kodit Zgjedhor, kur Berisha thoshte "bëjeni ju dhe ma sillni si ta doni", e cila kishte një hile dhe lidershipi i PS nuk i ra hilesë që fshihej pas saj, pas sistemit dhe Kodit Zgjedhor. Mendoj se pas 28 qershorit, PS përmes bojkotit bëri një shkundje të saj dhe bojkoti i vlejti asaj dhe për t'iu kthyer aksionit politik. Në këtë kuptim për mua bojkoti konsiderohet në përgjithësi i justifikuar..
I justifikuar..?
Po i justifikuar, dhe pse unë vetë kam kërkuar që ai të gërshetohej dhe me forma të tjera. Mendimi im ka qenë se duhej gjetur momenti se kur duhej të përdoreshin format e tjera. Në këtë kuptim ai e kaloi masën që duhej përdorur. Unë kam pasur idenë se pas raportit të OSBE-ODIHR-it, për zgjedhjet, opozita kishte rastin ta shihte atë raport si një mbështetje për PS dhe pse ai u lexua në mënyrë të ndryshme si nga maxhoranca ashtu dhe nga opozita. E vërteta është që raportet e ndërkombëtarëve kanë një gjuhë të rrumbullakosur dhe jo e drejtpërdrejtë.
Si e menaxhoi zoti Rama dhe PS bojkotin e socialistëve?
Unë nuk mund të them se u menaxhua në mënyrë të shkëlqyer. Por bojkoti në vetvete mbarte një informacion në tre drejtime, në radhë të parë për vetë PS që të rishikonte shumë nga pozicionet e veta dhe të kuptonte se çfarë kishte ndodhur në zgjedhje. Me vonesë, por nisi të veprojë për këtë. Duke bërë kauzë çështjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike që nuk po bëhen në Shqipëri, mendoj se ajo u pozicionua në misionin e saj. Kjo çështje madhore, që është dhe misioni i opozitës, e justifikon bojkotin edhe pse u zgjat. Megjithëse nuk u realizua ajo që kërkoi opozita ai pati efekte pozitive, si shkundje e opozitës, njohja e vetvetes. Krijoi një shans për vetë maxhorancën që ajo të reflektonte dhe është për të ardhur keq që në seancën e fundit maxhoranca jo vetëm nuk reflektoi por e thelloi më keq pozicionin e vet. Zgjidhja duhet të vijë nga maxhoranca. Unë nuk e di se si do të dalë nga kjo, por një krizë e tillë si rregull zgjidhjen e vetme që ka vetëm tek zgjedhjet e parakohshme.
Si mund të arrihet kjo?
Përderisa Parlamenti nuk funksionon, nuk mund të miratojë qoftë dhe një amendament me 3/5 e votave. Pra maxhoranca kërkon që në Parlament të ketë normalitet dhe të votohen ligjet e saj.
Në këtë situatë ju po thoni se Presidenti duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme?
Unë nuk e di nëse do ta shpallë Presidenti apo do të vetë shpërndahet Parlamenti apo do ta kërkojë dhe vetë Kryeministri për të bërë reformat, por në situata të tilla në vende të tjera, një krizë politike e tillë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme.
Një nga tezat e zotit Rama kur ka ardhur në PS ka qenë lufta ndaj xhaketave të vjetra. Bëri ç'bëri Rama dhe u kthye tek xhaketat e vjetra. Zgjedhja e Ruçit është një autokritikë ndaj kësaj teze?
Edhe mua më kanë akuzuar për xhaketë të vjetër, por unë atëherë i jam përgjigjur se më mirë një xhaketë të vjetër të pastër se sa një xhaketë të re të pistë.
Zoti Pëllumbi gjatë këtyre gjashtë muajve ju kanë kërkuar mendim nga kryetari i PS dhe nga forumet?
Unë jam anëtar i Asamblesë dhe mendimet e mia i kam shprehur ashtu siç i kam gjykuar dhe në shumicën e rasteve koha ka treguar se unë kam pasur të drejtë. Sigurisht në ndonjë rast mund të mos jemi kuptuar me zotin Rama dhe jemi takuar kemi pirë dhe kafe dhe kemi shkëmbyer mendime.
Ju ka kërkuar ai?
Po më ka kërkuar zoti Rama. P.sh. ka qenë rasti i asaj tezës së famshme të "përtej të majtës dhe të djathtës", ku ai e njihte qëndrimin tim rreth kësaj teze. Unë ia kam sqaruar dhe nga njëra anë më vjen mirë që zoti Rama nuk e përdor më këtë tezë.
Pra zoti Rama e ka hequr këtë tezë nga fjalori i tij politik?
Nuk e di, ajo në vetvete ka dhe aspektin e vet racional dhe nuk mund të them se është krejtësisht e gabuar, por unë e quaj të parakohshme për kushtet tona.
Ka pasur akuza të rënda në PS për demokracinë e brendshme të saj. Madje një grup prej 5 deputetësh të quajtur Lëvizja për Mendimin Ndryshe adresoi akuza ndaj zotit Rama dhe një nga pikat e kërkesave të tyre ishte hyrja në Parlament.
Në PS ndryshe nga partitë e tjera ka demokraci të brendshme, ka liri të fjalës, t'i shtrojnë çështjet, por çështja është se ç'kuptojmë me demokraci të brendshme. Disa mendojnë se me demokraci të brendshme kuptojmë vetëm lejimin e fraksioneve. Kjo ka qenë modë dikur, sot kjo nuk ekziston gjëkundi. Mendimi ndryshe është tjetër nuk është veprim ndryshe, ku njerëzit duhet të organizohen në partiza të vogla brenda të njëjtës parti. Kjo e shkatërron partinë. Madje Partia socialiste franceze që fitoi zgjedhjet vendore këto ditë, e ka pasur shumë në modë çështjen e fraksioneve dhe ka kohë që ka hequr dorë nga fraksionet. Demokracia nuk është fraksionizëm. Edhe mendimi ndryshe në PS nuk është lëvizje, thjesht ka pasur disa kritika dhe i kanë bërë mirë PS dhe jo ndonjë dëm të madh. Ata e tepruan në ndonjë rast se bënë disa veprime që binin ndesh me programin dhe qëndrimin e partisë dhe shumicës së saj. Hyrja në Parlament nuk erdhi si rezultat i kërkesës së këtyre deputetëve. Ata hynë në Parlament në momentin më të përshtatshëm.
Madje unë do të thosha se tani nëse PS do të ngulte këmbë në bojkotim të ri të Parlamentit, unë për vete do ta quaja të pajustifikuar një bojkot të mëtejshëm.
Ju mendoni se PS duhet të jetë në Kuvend?
Unë nuk e di se çfarë vendimi kanë marrë, por për mua bojkotimi e ezauroi veten. Aq sa mund të arrihej përmes bojkotit, u arrit, opinioni i mori vesh se çfarë ndodhi në 28 qershor, Ruzhdia e bëri efektin e saj dhe si Ruzhdia ka shumë të tjera në të gjithë vendin, këtë e arriti PS. Opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar e kuptuan se në Shqipëri ka ndodhur një gjë e madhe dhe duhen marrë në konsideratë qëndrimet e PS. Por nëse PS do të heqë dorë nga lufta parlamentare sipas formulës "ose Parlament ose protestë" unë do ta quaja të gabuar. Ndërsa për mua formula duhet të jetë "edhe luftë në Parlament edhe mitingje" edhe gjithçka tjetër që i shërben demokracisë dhe transparencës në Shqipëri. Nuk duhet të barrikadizohet në kuptimin "ose kutitë ose s'ka pafundësisht". Një betejë u fitua duke pasur parasysh se kë ka përballë dhe nuk u fitua pak, mendoj unë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›