E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, faturat me zero kilovat për orë

Beteja pafund me vjedhjet e energjisë pritet të ketë të tjera zhvillime pas privatizimit të sektorit të shpërndarjes. Shoqëria që do të fitojë tenderin për të privatizuar "Shpërndarjen" e KESH do të ketë përpara, gjithsesi, një detyrë jo të lehtë. "Në bazë të një sondazhi të fundit që ne kemi zhvilluar, na rezulton se vetëm në Tiranë dhe në Durrës ka aktualisht 80 mijë abonentë, të cilëve u shkon fatura e energjisë me vlerën zero lekë", thotë Bujar Nepravishta, kryetar i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Kjo situatë vazhdon prej vitesh. Muajin e kaluar ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kaluan në sitë të gjithë treguesit financiarë të KESH-it. Pas përfundimit të auditit, FMN ndryshoi rrënjësisht qëndrimin e saj për administrimin e sektorit të energjisë. Për herë të parë FMN nuk kërkoi rritjen e çmimit të energjisë, por vuri theksin te përmirësimi i humbjeve. Ndonëse korporata ka bërë një progres të lehtë dy vitet e fundit, situata vazhdon të mbetet problematike. Numri i abonentëve, të cilët faturohen me zero kilovat për orë, në të gjithë vendin mendohet të jetë plot 160 mijë. Këtyre u shtohen dhe 80 mijë abonentë të tjerë, të cilët nuk kanë fare matës të instaluar dhe që e paguajnë energjinë aforfe.

Kaosi

Në fakt, një numër shumë i madh shqiptarësh kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe jetojnë me familjet në emigracion. Pikërisht një pjesë e mirë e faturave zero janë të këtyre familjeve. Por specialistët thonë se një pjesë e mirë e këtyre faturave vijnë nga abuzimet e faturistëve në bashkëpunim me vetë familjarët.

Në total, humbjet nga energjia llogariten në 2 miliardë kilovat/orë. Nga këto, 1 miliard kilovat/orë janë vjedhje dhe 1 miliard të tjera humbje teknike në rrjet. Dëmi financiar që shkaktohet vetëm nga vjedhja e energjisë është, sipas Entit Rregullator, rreth 80 milionë euro. Gjatë vitit të kaluar, ku KESH regjistroi importet më të larta në historinë e saj, shuma e paguar për blerjen e energjisë nga jashtë ishte rreth 200 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›