Emigrantët, radhë në “pikun” e vapës në Kapshticë e Kakavijë
KORCE- GJIROKASTER- Situata në dy doganat e Kapshticës dhe Kakavijës është rënduar edhe gjatë ditës së djeshme. Fundjava ka shënuar një fluks tepër të madh të emigrantëve, të cilët kthehen në atdhe për të kaluar pushimet e këtij sezoni turistik. Mijëra emigrantë janë detyruar të presin në radhë me orë të tëra, derisa kanë mbaruar të gjitha verifikimet në doganë. Ata ankohen se një situatë e tillë po i ndjek për çdo vit. Burime nga dogana e Kapshticës bënë të ditur se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë kaluar doganën rreth 5.480 persona dhe rreth 1.540 mjete. Por ndërkohë fluksi vijon dhe parashikohet të jetë me të njëjtin ritëm edhe gjatë natës të së dielës. Mësohet se pala shqiptare ka rritur numrin e sporteleve, duke i çuar ato në shtatë, ndërsa pala greke po punon vetëm me katër sportele. Situata problematike paraqitet edhe në doganën e Kakavijës. Fluksi i emigrantëve është gjithnjë në rritje. Ata pohuan se kanë pritur me orë të tëra për të kryer të gjitha veprimet në doganë. Mësohet se mjaft fëmijë kanë shfaqur probleme shëndetësore, për shkak se kanë qëndruar disa orë në diell, ndërsa temperaturat kanë qenë maksimale. Burime pranë kësaj dogane bënë të ditur se që nga mesnata kanë kaluar rreth 3.800 persona e rreth 900 mjete. Pala shqiptare është mobilizuar dhe punon me 8 sportele, ndërsa pala greke po punon me 4 deri në 5 sportele. p.n/g.a