E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen makinat, plagosen 12 vetë



Aksidente të rënda janë shënuar dje në akset e Fierit dhe të Elbasanit, duke e çuar në 12 bilancin e të plagosurve.
Viktimat janë dërguar në spital, por mësohet se disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Sipas burimeve të policisë, mes të plagosurve ka edhe fëmijë.
FIER
Një aksident me pasojë plagosjen e gjashtë personave ndodhi dje rreth orës 05:00, në aksin nacional Fier- Vlorë, në fshatin Ferras. Dy automjete tip “Mercedes-Benz”, njëri prej të cilëve me targë VL 2392 A dhe tjetri me targë FR 5051 B, janë përplasur me njëra-tjetrën. Burime nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se një çift bashkëshortësh, përkatësisht Trifon dhe Marigo Nushi, 70 dhe 67 –vjeçe si dhe drejtuesi i mjetit me targa të Vlorës, kanë marrë plagë të rënda në kokë dhe në trup. Mësohet se edhe tre shtetas të tjerë, mes tyre edhe një vajzë 16- vjeçare, që udhëtonin me automjetin me targa të Fierit janë plagosur rëndë. Si pasojë e plagëve e fraktuarave të këtij aksidenti, të gjashtë të plagosurit u dërguan urgjentisht për në spitalin e Fierit, ku po marrin edhe trajtimin mjekësor. Sipas mjekëve, të plagosurit kanë ardhur në gjendje të rëndë, por po bëhet çmos t’iu shpëtohet jeta. Tri prej viktimave janë ende në rrezik. Policia e Fierit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe paraprakisht konstatuan se shkak për këtë aksident, me pasojë plagosjen e gjashtë personave, ka qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit me targa të Vlorës. Aksi nga Fieri drejt Vlorës dhe pikërisht në zonën e Ferrasit, shpeshherë është bërë burim aksidentesh. Rruga e drejtë bën që drejtuesit e makinave të bien pre e shpejtësisë dhe përgjumjes, duke u bërë faktor kryesor për aksidente.
ELBASAN
Në harkun e 24 orëve janë shënuar dy aksidente, me pasojë plagosjen e 6 personave në aksin e qarkut të Elbasanit. Aksidenti i parë është regjistruar në orët e vona të së shtunës, në aksin Librazhd-Rrajcë, ku dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Sipas policisë, një person rreth 45- vjeç ka mbetur i plagosur rëndë dhe po trajtohet në spitalin e Elbasanit.
Ndërsa një aksident tjetër me pesë të plagosur ndodhi dje në aksin Elbasan-Peqin, kur një automjet tip “Benz” është përplasur me një tjetër mjet tip “Skoda”. Parakalimi i gabuar në këtë aks rrugor mësohet të ketë qenë shkaku i këtij aksidenti, ku mbetën të plagosur pesë persona, nga të cilët dy fëmijë të moshave 14 dhe 15- vjeç. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:00. Drejtuesi i automjetit tip “Benz” ka bërë një parakalim të gabuar duke u përplasur me një “Skodë” që vinte përballë saj. Nga përplasja janë plagosur shtetasit Hekuran Shkëmbi, fëmijët 14 dhe 15- vjeç, me inicialet R.XH dhe E.XH. Gjithashtu, i lënduar ka mbetur edhe 22 –vjeçari, Arben Gjevori, i cili është edhe drejtuesi i “Benzit”. Pas ndihmës së marrë në spital, i riu u shoqërua në ambientet e policisë për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.
Ndërkohë, policia e Elbasanit është gjendur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas sinjalizimit të dhënë nga dëshmitarët e këtij aksidenti. Blutë bënë të mundur dërgimin me urgjencë të të plagosurve në spitalin e Elbasanit. Sipas mjekëv, në spitalin e këtij qyteti ndodhen të gjashtë të aksidentuarit. Por fatmirësisht, pas ndihmës së parë, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. m.r/a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›