Sa larg të djathtës është e djathtaNga Fitim ZekthiParlamenti shqiptar dha një shfaqje të keqe të asaj që do të donte çdo mbështetës i të djathtës ditën kur u miratua qeveria. Në diskutimet e gjata që u mbajtën në seancë nga gjithkush në radhë të par
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Sa larg të djathtës është e djathtaNga Fitim ZekthiParlamenti shqiptar dha një shfaqje të keqe të asaj që do të donte çdo mbështetës i të djathtës ditën kur u miratua qeveria. Në diskutimet e gjata që u mbajtën në seancë nga gjithkush në radhë të parë vetëm u tregua, pati vetëm narracion mbi zgjidhjet e hatashme që jep qeveria, mbi rolin e saj të jashtëzakonshëm, mbi mënyrën se si u fituan zgjedhjet etj. Qeveria ishte gjithçka, nga ajo pritej gjithçka. Përgjithësisht njerëzit janë tregues historish dhe kjo është mënyra më e ulët, me të cilën ata komunikojnë, por njerëzit kanë nevojë që veç narracionit të formulojnë mendim. Pikërisht këtu nis një nga përpjekjet e mëdha të mendimit të djathtë, i cili e konsideron thelbësor të menduarin në politikë. E majta historikisht është marrë me tregim të asaj që ka parë dhe të asaj që ka ndodhur. Në përgjithësi ajo ka qenë kaq e dhënë pas të treguarit, sa ka krijuar vetë histori ndryshe nga ç’ka qenë ajo. E majta është edhe mohuese dhe në fakt për të historia fillon vetëm me atë. Në rastet kur e majta është përpjekur të formulojë mendim, ajo e ka bërë, jo nisur nga thelbi, por nga rrethanat, jo genius-i, por nga kushtet. Të gjithë ministrat, të gjithë deputetët - ditën e votimit të qeverisë - bënë vetëm këtë gjë pa u bërë përshtypje se silleshin si majtistë plot shkëlqim, megjithëse besoj se ata nuk kanë vetëdije të djathtë kaq të thellë sa ta kuptonin këtë. Në anën tjetër, në lartësimin e rolit të qeverisë, në ngritjen e saj në pikën ku vetëm nga ajo vjen shpëtimi, ishte shkëlqimi i dytë majtist. Në bindjen e çdo të djathti qeveria nuk është institucioni që bën gjithçka duhet bërë, por është institucioni që bën gjithçka duhet bërë, kur institucione të tjera nuk e bëjnë. Ngarendja nëpër diskutime kaq të varfra ditën që votohej qeveria, turravrap drejt recitimit si një prej mënyrave të tregimit, mosformulimi i asnjë mendimi mbi atë se si duhet të jetë nxënësi shqiptar, mjeku, si do të zgjerohen liritë ekonomike apo edhe ato të individit padyshim që përmasën e majtë e bënë aq të gjindshme dhe aq të lëbyrshme, sa ishte e rëndë të mendoje për një qeveri të djathtë. Sigurisht, prania e një partie mund të ndikojë në programin e një qeverie si kjo, por nuk ka kuptim që pa ndalur deputetët dhe ministrat të ngrenë thurima të neveritshme majtiste. Një prej deputetëve më të rëndësishëm të Partisë Demokratike nuk e kishte të vështirë të linte shakull çdo votues të djathtë, kur tha se kjo është qeveria që ka bërë mrekullira, që do ndryshojë rrënjësisht Shqipërinë. “Një revolucion i vërtetë do ndodhë, - tha ai, - dhe historia do ta kujtojë gjatë këtë qeveri.” Sigurisht që kjo është më shumë se majtizëm. Kritikat më të rënda Edi Ramës i janë bërë dhe i duhen bërë për faktin që ai flet për ndryshime rrënjësore dhe revolucion. Të djathtët besojnë tek arsyeja si një mundësi e vogël për ndryshime rrënjësore dhe mbështeten te dija e akumuluar, te historia, dhe te mendimi dhe për këtë shkak kërkojnë qeveri jo shumë të pushtetshme që merr përsipër gjithçka. Sesa e rëndë ishte pamja në parlament me ligjërimet përpos të tjerash krejt të varfra mjafton të shohim ç’u tha për arsimin: “Do të rrisim fondet dhe do të ndërtojmë shkollat që kanë mbetur ende pa ndërtuar, do të bëjmë që vendi të ketë 150 mijë studentë, do të bëjmë që gjithkush që mbaron shkollën e mesme të shkojë në universitet”. Qasja kaq materialiste është në vetvete përpos e ulët edhe shumë e dëmshme. Arsimi nuk është çështje numrash. Një i djathtë do të interesohej mbi cilësinë e nxënësve, mbi faktin se çfarë prodhojnë shkollat dhe universitetet. Po marrim një shembull se si e sheh arsimin qeveria franceze e kryeministrit Francois Fillon, një qeveri e djathtë. “Ne duam dhe do të punojmë që shkollat tona të përgatisin gra dhe burra të lirë, që të jetojnë me punën e tyre të ndershme, që të kenë neveri për të shëmtuarën dhe respekt për të bukurën, të kenë admirim për të mirën dhe krupë për të ligën.....” Pra, një i djathtë merret me thelbin dhe jo me rrethanat apo kushtet materiale. Për një djathtë njeriu nuk është kafshë ekonomike, por është krijesë unike që ka më së pari të rëndësishme anën shpirtërore dhe më pas atë ekonomike. Pesë diskutime dhe askush nuk foli për lirinë dhe liritë, askush nuk foli për moralin e një qeverie të djathtë, por me një majtizëm të thekshëm e quajtën qeverinë qendër të botës dhe anën materiale shtëpinë e kësaj qendre. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku njerëzimi fitoi një prej betejave më të mëdha, në SHBA u mbajt ajo që quhet “Command performance” dhe aty u pa vetëm përunjësi dhe shpirt vetëmohimi. Ishte fituar një luftë aq e madhe dhe askush nuk mburrej, e as nuk mburrte SHBA, përkundrazi. Ernie Pyle, një korrespondent lufte që ishte vrarë pak muaj parë, kishte shkruar në ditar: “Ne e fituam këtë luftë, sepse njerëzit tanë janë trima dhe sepse shumë gjëra ishin në anën tonë, si Rusia, Anglia dhe Kina. Ne nuk e fituam këtë luftë, sepse fati na kishte krijuar më të mirë se të tjerët, duhet të jemi falënderues dhe jo mburravecë.” Ky shembull (të tillë historia e njerëzimit ka pafund dhe ndaj të djathtët i besojnë dijes së akumuluar), shumë i madh dhe shumë i largët ishte asgjësuar në parlamentin shqiptar, ku deputetët flisnin paprerë me mburrje për arritjet dhe për fitoren dhe për më tepër besonin se ishin ata më të mirët. Të djathtët besojnë se idetë e tyre janë më mira dhe jo fati i ka bërë njerëz më të mirë, pastaj idetë i ndihmojnë ata të bëhen njerëz më të mirë. Në parlament dikush tha madje se opozita nuk meriton të jetë në atë sallë. Ai nuk beson se është sovrani, por megjithatë e mori edhe atë të drejtë. Meqë atje u fol shumë për ekonomi, arritje e shifra, duhet thënë se në bindjen e djathtë askush nuk mund të jetë i lirë ekonomikisht dhe as mund të jetë eficient në pikëpamje të ekonomisë, nëse ai është i skllavëruar politikisht. Liria politike në atë rast është iluzion. Dhe atë ditë në parlament u pa qartë skllavërimi politik dhe kjo vetëm nga kultura majtiste. Nuk ka lidhje kjo asfare me liritë e ndryshuara apo jo në parti, është çështje individësh.