“Mediu” vs. “Cunningham” Nga Kristi PinderiE mbani mend pilotin hero të interpretuar nga Tom Cruise në filmin Top Gun, i cili stërvitej në “Naval Fighter Weapons School” në Miramar të San Diegos? Ai personazh është frymëzuar nga një hero i vërtetë i
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Mediu” vs. “Cunningham” Nga Kristi PinderiE mbani mend pilotin hero të interpretuar nga Tom Cruise në filmin Top Gun, i cili stërvitej në “Naval Fighter Weapons School” në Miramar të San Diegos?
Ai personazh është frymëzuar nga një hero i vërtetë i luftës në Vietnam, Randy “Duke” Cunningham, i cili pas rikthimit triumfues në Amerikë njohu vetëm ngjitje dhe suksese në jetë, derisa u shndërrua në njërin prej kongresmenëve më autoritarë të republikanëve në Capitol Hill.
Por ashtu si dhe me personazhet e Shekspirit “Duka” pati një rënie dramatike e po aq të shpejtë sa edhe ngjitjen: ai u akuzua për shpërdorim të detyrës gjatë kohës kur ishte anëtar i Komisionit për Mbrojtjen në Kongres, për marrje të ryshfeteve në këmbim të dhënieve të fondeve të majme përmes kontratave shumëmilionëshe me ushtrinë amerikane dhe u dënua nga një gjykatë me 8 vjet e 7 muaj burg, pasi prokurorët mundën të provojnë faktet që fillimisht i denoncoi një grup gazetarësh. Këta gazetarë Dean Callbreath, Marcus Stern, Jerry Kammer, e George E. Condon Jr. ndanë së bashku në vitin 2006 çmimin Pulitzer.
“Mapo” sjell ekskluzivisht rrëfimin e njërit prej këtyre gazetarëve që denoncoi “çështjen Cunningham”, Dean Calbreath, i cili ishte i pari që investigoi për gazetën lokale “The San Diego Union Tribune”.
A ishte i vështirë ky investigim dhe sa mund të kushtojë një ndërmarrje e tillë që përfundoi duke burgosur një Hero të Luftës në Amerikë dhe duke e shpallur atë si kongresmenin më të korruptuar të kapur ndonjëherë në historinë e Kongresit amerikan?
“Ishte e vështirë, por jo një ndërmarrje e shtrenjtë, - thotë Calbreath për “Mapo”, - nuk ishte e shtrenjtë, pasi pjesën më të madhe të informacionit ne mundëm ta sigurojmë përmes internetit. Duhet vetëm përkushtim, për të lidhur copëza informacioni me njëra-tjetrën, ato informacione që janë të aksesueshme nga të gjithë e për të ndihmuar kështu drejtësinë të bëjë punën e vet”.
Kur drejtësia e çon deri në fund e nuk e mbyll një çështje…
Brenda sallës së gjyqit, atë mëngjes të 28 nëntorit 2005, kongresmeni Cunningham u detyrua të jepte përgjigje koncize dhe të prera ndaj pyetjeve që i drejtoi gjykatësi Larry Alan Burns. Ato pyetje ishin të shkurtra, tensionuese, por impakti i tyre ishte shumë i madh - falë atyre pyetjeve kongresmeni do të ndryshonte veshjen, e cila në mëngjes përbëhej nga një kostum i shtrenjtë e nga një kravatë e zezë, ndërsa pasdite do të shndërrohej në veshjen e një të burgosuri:
“Mes viteve 2000 dhe 2005 në distriktin tonë ju pranuat të merrnit ryshfete në këmbim të favoreve që mund të ofronit falë statusit tuaj publik. E bëtë ju këtë?” - pyeti kongresmenin gjykatësi Burns.
“Po, i nderuar”.
“A pranuat ju pagesa në formën cash gjithashtu dhe pagesa në forma të tjera?”- pyeti Burns.
“Po, i nderuar”.
“A u përpoqët ju të influenconi Departamentin e Mbrojtjes për interes të palëve të treta?”
“Po, i nderuar gjykatës”.
Pas kësaj seance pyetje-përgjigje karriera e një heroi lufte, i cili kishte mundur të rrëzonte plot 5 avionë MIG në Vietnam, tre prej të cilëve gjatë një aksioni të vetëm që zgjati 7 minuta dhe kishte marrë pas këtij akti medaljen më të rëndësishme të Ushtrisë Amerikane, u shkatërrua dhe u turpërua përfundimisht dhe Randy Cunningham u çua në burg, atje ku ndodhet edhe sot.
Calbreath: Gjithçka nisi rastësisht…
Ulur në barin e “Hotel Tirana International”, Calbreath kujton edhe duke qeshur se sa rastësisht filloi i gjithë investigimi. “Cunningham ishte një hero lufte, një idhull i patriotizmit dhe ai nuk e kishte patur asnjëherë të vështirë që të fitonte votat e distriktit tonë, - tregon gazetari. - Por megjithatë në vitin 2005, kur ne nisëm të investigonim, asgjë nuk mund ta justifikonte jetën luksoze që ky kongresmen bënte.”
Cunningham jetonte në një shtëpi shumë luksoze, udhëtonte me disa jahte të shtrenjtë, me avionë privatë, me limuzina në çdo cep të Amerikës. Kaq mjaftoi për të ngjallur kuriozitetin e gazetarit, i cili falë informacionit të aksesueshëm për të gjithë arriti të mësonte së shtëpia e tij në distriktin më të pasur të San Diegos kushtonte 2.55 milionë dollarë. Dhe se falë një mekanizmi jo fort transparent në Kongresin amerikan, Cunningham kishte mundur të fuste në buxhetin për mbrojtjen një “earmark” që praktikisht është një zë i veçantë që çdo kongresmen mund ta propozojë duke patur të drejtën të qëndrojë anonim.
“E mora në telefon Cunningham dhe e pyeta nëse e kishte propozuar ai atë fond shtesë në buxhet, nga i cili do të përfitonte një kompani në Uashington dhe m’u përgjigj shumë i qetë: “Po, e kam bërë për të ndihmuar vendin tim!”- tregon për “Mapon” Calbreath. “Është shumë e çuditshme se si njerëz të tillë armë më të fortë kanë patriotizmin! Ata e shesin veten si patriotët më të mëdhenj të vendit”, - vazhdon gazetari i “The San Diego Union-Tribune”.
Kjo gazetë kishte mbështetur fuqimisht kongresmenin gjatë zgjedhjeve dhe linja e saj editoriale ishte e shpallur në favor të republikanëve. E pyes nëse pati problem të botonte lajmin e parë në atë gazetë që hapur mbante një qëndrim pro partisë së atij kongresmeni dhe përgjigjet: “Absolutisht jo, madje, jo vetëm që e botuam, por ai ishte kryeartikull në faqen e parë të gazetës”.
Shkrimi u botua në numrin e së dielës, ndërkohë që të nesërmen, të hënën, prokuroria nisi një hetim rreth kësaj çështjeje. Kaq mjaftoi që katër gazetarët, që më vonë do të merrnin çmimin Pulitzer, të nisnin investigimin e tyre e të raportonin hap pas hapi.
Mekanizmi i korrupsionit
“Mora librin e shkollës së Cunningham dhe listova të gjithë emrat e nxënësve që kongresmeni i kishte patur në klasë. I mora në telefon dhe ishte e habitshme se sa shumë të dhëna mundëm të grumbullojmë nga ata shokë klase”, - vazhdon të tregojë për “Mapo”.
Miqtë e kongresmenit, jo të gjithë kishin mbetur të kënaqur me të, ndaj mezi prisnin të tregonin gjithçka që dinin. Dhe në përfundim të kësaj mekanizmi i korruptimit ishte shumë i qartë, lehtësisht i ngjashëm me këdo mekanizëm të tillë, madje frikshëm i ngjashëm me atë që ka ndodhur edhe në Gërdec…
Cunningham kishte favorizuar gjatë atyre viteve kompanitë e Brent Wilkes dhe të Mitch Wade. Duke përfituar nga pozita e tij si kongresmen ai kishte mundur të ndihmonte këta njerëz që të nënshkruanin kontrata shumë milionëshe me Pentagonin dhe në këmbim të kësaj ndihme kishte përfituar përqindjet e tij, shtëpinë luksoze, jahtet, tapete persiane, bizhuteri për bashkëshorten, ndërsa hante dreka e darka në restorante luksoze, ku shërbehet mish zebre.
Një detaj që do ta gozhdonte në gjykatë ishte edhe një letër e vogël, ku ai kishte shkruar me dorën e vet dy kolona shifrash e përqindjesh. Në kolonën e majtë kishte shkruar shifrat me miliona dollarë që do të përbënin shumat e kontratave me Pentagonin, ndërsa në kolonën e djathtë kishte shkruar shifrat që ai si kongresmen do të duhej të përfitonte, në përpjesëtim të drejtë me milionat e kontratave.
Cunningham donte një jaht që kushtonte 140.000 dollarë si këmbim me kontratën e parë me Pentagonin prej 16 milionë dollarësh. Më tej, ai priste nga Wade një ryshfet prej 50.000 dollarësh për çdo 1 milion shtesë në kontrata të mëvonshme. Pasi Wade t’i kishte paguar 340.000 dollarë kongresmenit në këmbim të kontratave me Pentagonin që do të arrinin shumën e 20 milionë dollarëve, atëherë sasia e ryshfetit që do të duhej të merrte për çdo 1 milion mbi shifrën e mësipërme do të ulej, nga 50.000, në 25.000 dollarë! Një investigim i mëvonshëm do të tregonte se pjesë e ryshfeteve do të ishin edhe dy prostituta…
“Ne investigonim paralelisht në të njëjtën kohë, - tregon Calbreath, - do të doja të kisha më shumë kohë, por unë shkrimet e mia zakonisht nisja t’i shkruaja në orën 23.00 të mbrëmjes deri rreth orës 2.00 të mëngjesit e kur unë flija, kolegët e mi në Uashington zgjoheshin për të vazhduar ata investigimin dhe raportimin”.
Çështja Mediu…
Fatmir Mediu mund të mos jetë një hero lufte, por ai mbetet sërish një person që votohet në Shqipëri… Mediu mund të mos ketë asnjë gjë të përbashkët me Cunningham dhe asnjë gjë të përbashkët me ryshfetet e korrupsionin.
Por ashtu si edhe kongresmeni amerikan, edhe ministri ynë i Mjedisit, i cili pak më shumë se një vit më parë drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, ka qenë objekt i sa e sa investigimeve në media.
Ashtu si edhe Cunningham në fillim, edhe Mediu i ka mohuar të gjitha akuzat. Ashtu si Cunningham, edhe Mediu ka thënë gjithmonë se është një politikan patriot që e ndihmoi vendin të anëtarësohet në NATO.
Ashtu si Cunningham, edhe Mediu ka qenë i pandehur.
Por ndryshe nga çështja Cunningham, çështja Mediu nuk shkoi asnjëherë deri në fund!
Dhe këtu krahasimi merr përmasat e disa qindra viteve histori të shtetit e të demokracisë: mes drejtësisë amerikane dhe asaj shqiptare ka përfundimisht një hendek, një humnerë ku në fund të saj nuk bie dot çdo kriminel…