E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Europian, kritika qeverisë shqiptare për Gërdecin dhe korrupsionin

Zbardhet pjesa e raportit që do të prezantojë kryekomisioneri Rehn. Kritika edhe për mungesën e transparencës për financimet e partive

Shaban Sulçe

Projekt-raporti i Komisionit Europian për Zgjerimin pritet të shfaqë kritika të ashpra në drejtim të qeverisë shqiptare. Pjesë e këtij projekt-raporti, i cili pritet të prezantohet në datën 5 nëntor nga kryekomisioneri Oli Rehn, është publikuar ekskluzivisht nga agjencia e lajmeve “Balkaninsight”. Tragjedia e Gërdecit dhe zbardhja e saj duket se do të jetë pika kryesore e dobët e qeverisë shqiptare që do t’i kërkohet nga Komisioni Europian për Zgjerimin. Por kritikat duket se nuk do të kursehen edhe përsa i përket luftës së korrupsionit, ku rezultatet e qeverisë shqiptare vlerësohen modeste në këtë drejtim.

Raporti

Komisioni Europian konstaton se Shqipëria ka bërë progres të vazhdueshëm për të forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor. Megjithatë, ajo kritikohet për mungesën e dialogut politik midis partive politike. “Përveç disa rezultateve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vazhdon të mbetet sfida kryesore. Strategjia antikorrupsion ende nuk është zbatuar dhe përhapja e korrupsionit vazhdon të jetë një problem serioz.
Lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë një çështje kyçe, ndërsa duhen çuar deri në fund hetimet për shpërthimin e Gërdecit. Kritikat duket se do të përqendrohen edhe përsa i përket transparencës së financimeve të partive politike. “Duhet bërë shumë punë për transparencën e financimit të partive”, - nënvizohet më tej. Raporti i Komisionit Europian për Zgjerimin thekson gjithashtu se ka pasur arritje shumë të pakta në luftën kundër pastrimit të parave si dhe kundër trafikut të drogës (që vazhdon të përbëjë një shqetësim serioz”.

Sistemi i Drejtësisë

Shqipëria ka bërë shumë pak përsa i përket sistemit të Drejtësisë. Reforma në Drejtësi ende nuk është realizuar. Sipas raportit, Shqipëria duhet të marrë masa për të forcuar gjithashtu pavarësinë, eficencën në shërbimin civil. Shqipëria ka bërë progres përsa i përket legjislacionit, politikave dhe kapaciteteve me standardet europiane, duke implementuar marrëveshjen e integrimit. Megjithatë, në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, Shqipëria ka bërë një progres të ulët dhe për këtë arsye Komisioni mendon se duhet një përmirësimin edhe më i madh në këtë drejtim. Gjithashtu, pavarësisht se Shqipëria po merr pjesë në dialogun për regjimin e liberalizimit të vizave, ajo ende nuk ka arritur standardet e Bashkimit Europian për të përfituar regjimin e vizave. Në këtë drejtim, raporti i rekomandon Shqipërisë që të fillojë menjëherë shpërndarjen e pasaportave biometrike.

Pikat kryesore të kontratës së qeverisë shqiptare me Komisionin Europian

- Promovimi i dialogut konstruktiv mes partive politike dhe grupeve të interesit mbi realizimin e reformave.

- Rritja e pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës në sistemin gjyqësor, ku përfshihet mbrojtja kushtetuese e gjyqtarëve, emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në bazë të konkurrencës së ndershme, vlerësimi i tyre në bazë të meritave.

- Zbatimi i strategjisë antikorrupsion 2007-2013 dhe rekomandimeve të bëra në raportin e 2005-s nga ana e Këshillit të Europës kundër korrupsionit si dhe hetimi dhe ndjekja penale e rasteve të korrupsionit në Polici dhe Prokurori.

- Zbatimi i rekomandimeve nga zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut gjatë zhvillimit të zgjedhjeve, veçanërisht duke përmirësuar listat e votuesve, amenduar në kohë Kodin Zgjedhor në të njëjtën linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

- Forcimi i mëtejshëm i qeverisjes në sektorin publik duke përmirësuar cilësinë dhe paanshmërinë e administratës publike.

- Arritja e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

- Përmirësimi i regjistrit civil dhe sistemit të adresave, futja e kartave elektronike të identitetit dhe pasaportave biometrike. Përsa i përket administratës publike, kërkohet forcimi i ligjit për shërbimin civil dhe rregullat e lidhura me administratën publike.

Kritikat për qeverinë shqiptare në raport

- Zbardhja e tragjedisë së Gërdecit
- Rezultate modeste në luftën kundër korrupsionit
- Mungesa e transparencës për financimin e partive
- Mungesa e rezultateve në luftën kundër pastrimit të parave
- Mungesa e rezultateve në luftën kundër drogës
- Mungesa e realizimit të reformës në Drejtësi

Kroacia merr vlerësime, Maqedonia jo

Raporti i Komisionit Europian për Zgjerimin duket se do të ketë vlerësime mjaft pozitive për Kroacinë, ndërkohë që krejt e kundërta do të ndodhë për Maqedoninë. Në raport theksohet se Kroacia ka arritur të përparojë me hapa të sigurt drejt stabilitetit. “Kroacia ka arritur të përmirësojë aftësitë e saj për të marrë obligimet e anëtarësimit. Përgatitjet për anëtarësimin në BE kanë pasur progres të jashtëzakonshëm”, - thuhet në raport. Komisioni Europian nuk rekomandon hapjen e negociatave me Maqedoninë për hyrjen e saj në BE. Sipas raportit, Maqedonisë i mungojnë kriteret politike. Raporti thekson se mangësitë e Maqedonisë janë të lidhura me dhunën në zgjedhjet e fundit dhe mungesa e një dialogu politik konstruktiv midis palëve. Për Malin e Zi, Komisioni Europian për Zgjerimin vlerëson se në këtë vend kërkohen më shumë masa për zbatimin e reformave, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Progres-raporti thekson se Mali i Zi duhet të përmirësojë qeverisjen dhe rolin e Gjyqësorit, si dhe të tregojë një vullnet të madh politik për të arritur rezultatet në luftën kundër korrupsionit. “Pavarësisht disa arritjeve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten sfidat kryesore për Malin e Zi”, - thuhet në Projekt-raport.
Kritikat priten të jenë të shumta edhe për Kosovën, për shkak të nivelit të lartë të trafiqeve dhe mungesës së rregullit ligjor. Ndërkohë, çështja e Kosovës dhe pretendimet ndaj saj përbëjnë problemin kryesor që ndan Serbinë nga integrimi i saj në BE.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›