Balla-Bumçi, debat për letrën dërguar Shkëlzenit
Gjatë seancës së djeshme parlamentare deputetët socialistë akuzuan qeverinë për vendime të gabuara në kuadër të reformës në Drejtësi. Në përgjigje ndaj tyre ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, i cilësoi akuzat e opozitës debate të kota, që nuk paraqesin alternativa, por që kërkojnë të tensionojnë situatën politike. “Opozitës i mungojnë alternativat për reformat në vend. Opozita shqiptare është një shkretëtirë idesh dhe nuk ka asnjë alternativë. Ajo nuk ka sjellë asnjë debat, pasi debatin e zhvillon vetëm fshatrave në dialogun me Shqipërinë, ku flet vetëm kryetari i saj dhe askush tjetër. Por, debati për çështje të rëndësishme duhet të bëhet në sallën e Kuvendit”, - është shprehur Bumçi, ndërsa përmendi debatin për ligjin për Prokurorinë. Ai tha që opozita e ka kundërshtuar këtë ligj ende pa e lexuar, pasi projekti nuk është miratuar ende nga qeveria dhe është në proces hartimi nga Ministria e Drejtësisë. Në replikë ndaj tij ka reaguar deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai i kërkoi Bumçit të tregojë se cilit Shkëlzen i ka dërguar letër për kontratën e demontimit të armëve në Gërdec.
“Zotëria parafolës ka një konflikt të madh interesi. Në radhë të parë është një ish-ministër, i cili nuk mbahet mend për asgjë. Në radhë të dytë ai po hetohet për një shkresë që i drejtohet zotit Shkëlzen. Por ky Shkëlzeni nuk ekziston as në Ministrinë e Mbrojtjes, as në Kryeministri. Zotëria duhet të dalë dhe të thotë se kush është ky Shkëlzen”, - është shprehur Balla.
Edhe nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, ka konfirmuar ekzistencën e një shkrese të tillë të firmosur nga ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. “Dokumenti qarkullon si kartolinë në ambientet publike të Tiranës dhe nuk bëhet fjalë për një dokument apo person të paidentifikuar, madje bëhet fjalë për Shkëlzen Berishën”, - është shprehur Braçe. Në mbrojtje të akuzave Bumçi i ka cilësuar mashtrime deklaratat e deputetëve opozitarë.
31 Tetor 2008