E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Maxhoranca ka zhdukur dosjet e UDB-së”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje në Kuvend vullnetin e qartë të opozitës së majtë për hapjen e dosjeve. Por ai hodhi dyshime për ekzistencën e dosjeve duke deklaruar se gjatë viteve 1992-1995, kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike, janë zhdukur një pjesë e mirë e dosjeve, veçanërisht ato të UDB-së. “E kemi thënë hapur që jemi për hapjen e dosjeve, madje edhe të atyre që ndodhen në Arkivin e Shtetit, duke u dhënë të drejtë shqiptarëve që të kenë akses në këto dosje. Por, a ekzistojnë realisht dosjet? Kemi të dhëna se shumë prej tyre janë zhdukur, veçanërisht ato të UDB-së, të viteve '92-'95”, - është shprehur nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Ai akuzoi maxhorancën duke bërë të ditur se zhdukje e këtyre dosjeve nuk ka se si të jetë e rastësishme. Braçe gjithashtu e cilësoi qëndrimin e maxhorancës për këtë çështje një qëndrim cinik që bëhet për të shantazhuar opozitën dhe për të sfumuar tragjeditë që ndodhin çdo ditë në Shqipëri. “Debati po bëhet si shantazh ndaj opozitës, ose në rastin më të keq, si formë për të larguar vëmendjen ndaj tragjedive që po u marrin jetën shqiptarëve”, - është shprehur Braçe gjatë fjalës së mbajtur dhe në Kuvend.

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›