Pepublikanet te përçarë për referendumin
Deklarata e republikanit, Sabri Godo, i cili kërkon realizmin e një referendumi për ndryshimet në Kushtetutë, e ka gjetur të papërgatitur grupin parlamentar të PR-së. Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, gjatë një prononcimi për "Shqip" thotë se "grupi parlamentar i PR-së e ka shprehur vullnetin e tij politik në seancën plenare ku u votuan këto ndryshime". Duke mos dashur të japë asnjë përgjigje konkrete në lidhje me deklaratën e bërë nga Sabri Godo, Madhi shprehet se qëndrimi i grupit parlamentar të PR-së tashmë është i qartë, pasi të gjithë e dinë sesi u shpërndanë votat në seancën e 21 prillit ku u votuan ndryshimet kushtetuese me 115 vota pro. Vlen për të kujtuar se grupi parlamentar i PR-së, i cili është i përbërë nga 11 deputetë në seancën parlamentare ku u votuan ndryshimet kushtetuese një pjesë ishin kundër tyre dhe pjesa tjetër pro, duke e përçarë kështu qëndrimin e grupit. Pas kësaj seance, republikani Godo në mbledhjen e asamblesë kërkoi që të analizohej ky veprim, pasi theksoi ai, nuk është gjë e mirë për një parti politike që të shkojë në një seancë parlamentare ku do të votohet për diçka të rëndësishme me dy qëndrime të ndryshme. Qëndrime të cilat deri më tani ende nuk janë analizuar nga grupi parlamentar i PR-së. Por në lidhje me deklaratën e Godos për t‘iu bashkuar nismës së kryetarit të LSI-së, Ilir Metës, për realizmin e referendumit për ndryshimet në Kushtetutë, kryetari i grupit, Madhi, ka theksuar se ata duhet të diskutohen në forumet drejtuese të partisë për të dalë më pas në një qëndrim të përbashkët. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i mbështetur edhe nga partitë e tjera të vogla opozitare, por edhe nga deputetë të shkëputur nga PD-ja dhe PS-ja kanë nisur mbledhjen e firmave për një kërkesë që ndryshimet kushtetuese të bëhen me referendum. Për të bërë zyrtare këtë kërkesë në Parlament duhet të mbledhin firmat menjëherë me qëllim që t‘i paraprihet hyrjes në fuqi të ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi gati një javë më parë. Meta i ka bërë thirrje edhe kryetarit të PS-së, Rama, që t‘i bashkëngjitet kërkesës së tij për t‘u shkëputur sipas Metës nga puçi institucional i Kryeministrit Berisha. Ftesë e cila ka rënë në vesh të shurdhët, pasi PS-ja nuk iu përgjigj pozitivisht. Të vetmit që ishin pro nismës së Metës dhe partive te tjera të vogla opozitare kanë qenë disa deputetë, të cilët aktualisht nuk bëjnë pjesë më në grupin e PD-së dhe të PS-së, si Ngjela, Koçi etj. Ndryshimet kushtetuese u miratuan në Kuvend pas propozimit të bërë nga PD-ja. Propozim i cili erdhi në momentet e fundit në shenjë kompromisi mes PD-së dhe PS-së, pas kërkesës së kësaj të fundit, e cila donte që në zgjedhjet e ardhshme të aplikohet sistemi proporcional rajonal, sistem i cili u pranua nga PD-ja, por që u kundërshtua ashpër nga partitë e tjera të vogla, të cilat me këtë sistem dalin të humbura nga zgjedhjet e 2009 për shkak se pragu në bazë të qarqeve është mjaft i lartë në zona të ndryshme. Pranimi i këtij sistemi zgjedhor nuk u dha "falas" nga PD-ja, e cila njëkohësisht me nismën e PS-së hodhi në tryezën e punës së Komisionit të Ligjeve edhe një paketë për disa ndryshime në disa nene të Kushtetutës, të cilat sipas specialistëve të çështjeve ligjore, por edhe të vetë drejtuesve të partive politike janë baza e gjithë Kushtetutës. Tashmë pas miratimit të këtyre ndryshimeve, Kuvendi e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicë të thjeshtë, si dhe forcon pozitat e Kryeministrit.