E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drini përmbyt 10 shtëpi e të mbjella

 SHKODER/ LEZHEDhjetë shtëpi janë përmbytur dhe 65 hektarë nën ujë janë pasojat e situatës së djeshme në Lezhë dhe Shkodër. Hapja e digës të dielën e reshjet e shiut kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes. Megjithatë, rreziku i paralajmëruar për evakuim banorësh nuk ka ndodhur në zonën përreth HEC-it të Vaut të Dejës, pasi reshjet pushuan gjatë ditës dhe portat e hidrocentralit u mbyllën. Situatë e rënduar ka qenë në Tale të Lezhës. Prurjet e shumta të Drinit në orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë bërë që uji të dalë mbi shtratin e tij. Vetë banorët thonë se dhe deti është fryrë e ka pasur dallgë të vazhdueshme, duke bërë që prej baticës së papritur uji të kalojë mbi bregun e rërës dhe njëkohësisht të përmbytë banesat në afërsi të tij. Përmbytja është ndihmuar edhe si pasojë e bllokimit të kanaleve që dërgonin ujin në hidrovor. Ndërkohë që një banesë rrezikohet të shembet pasi është shumë afër hidrovorit. Në këto momente ka ndërhyrë ndërmarrja e ujësjellës- kanalizimeve, e cila për të shpëtuar përmbytjet e banesave dhe të mbjellave akoma edhe më shumë është detyruar të çajë edhe digën e hidrovorit për të tërhequr ujërat në të. Kjo ka bërë që prurjet e shumta të ujit të tërheqin me vete edhe dhera e materiale inerte, duke vështirësuar edhe punën në hidrovor. Vetëm në mbrëmje është punuar për të rimbyllur digën. Një prej banorëve, Gjovalin Nika tregoi se përmbytja ka nisur në orën 05:00 të mëngjesit. "Uji vërshoi nga porta e banesës. Dola jashtë e pashë të gjithë shtëpinë e rrethuar nga uji. Ai vinte nga rruga kryesore, e cila është 1 km nga bregu i detit. Kam marrë familjarët e bagëtinë dhe u larguam nga shtëpia. Jetoj prej 60 vitesh në këtë lagje dhe asnjëherë nuk jemi përmbytur nga uji, pasi ne kemi edhe afër hidrovorin". Banorët thonë se shkak për përmbytjen është bërë dhe një person nga Tirana, i cili ka mbushur kanalin, duke ngritur mbi nivelin e banesave një rrugë që të çon në afërsi të hidrovorit, duke mos lejuar depërtimin e ujit në të. Në orët e pasdites kanë mbërritur në Tale edhe reparte speciale e të ushtrisë për t'u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga përmbytja. Ndërsa në orën 18.00 për inspektim ka qenë dhe shefi i emergjencave civile, Alfred Olli. Ai pas takimit me banorët e përmbytur është shprehur se do të bëhet kompensimi i tyre nga dëmet e përmbytjes. Olli ishte dje dhe në Shkodër, nga ku u shpreh se nuk ka vend për panik. I shoqëruar nga prefekti Maxhid Cungu ka inspektuar komunat më problematike, siç janë ato të Bushatit, Dajçit, të Anës së Malit, të Velipojës dhe të Gurit të Zi, ku rezultojnë 35 ha të përmbytura. Pas kontrollit të zonave të konsideruara si më problematike është pohuar nga Olli dhe prefekti Cungu se situata është nën kontroll të plotë. Madje është kërkuar që të mos jepen informacione të gabuara dhe të krijohet panik i kotë tek banorët. Pas inspektimit Olli është shprehur për mediat se "tashmë gjendja nuk është aq alarmante". Ndërsa prefekti pohoi se këtë vit, për shkak të investimeve që janë bërë në digë kemi një gjendje normale. Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë krijuar një situatë emergjente duke detyruar hapjen e portës anësore të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit pasi reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës në male kanë rrezikuar përmbytjen e digave të hidrocentrale.Gjanica përmbyt sërish FierinFIER- Lumi i Gjanicës vijon të sjellë probleme për qindra familje në Fier. Ndërkohë, pa punë kanë mbetur më shumë se 350 tregtarë të tregut industrial. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, uji kishte pushtuar të gjithë sipërfaqen e këtij tregu. Ndërsa në lagjen "1 Maji" janë përmbytur katet e para të disa banesave. Kjo është hera e pestë për këtë vit, që lumi kapërcen kufijtë normalë,  duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale. Në fakt, në Fier ka qenë mot i kthjellët dy ditët e fundit, por sipas specialistëve, janë shirat e rëna gjatë natës së të dielës në zonën e Mallakastrës, që kanë sjellë përmbytjen. Për pasojë, pesë shtëpi në lagjen "1 Maji" janë prekur nga përmbytja. Familjarët kërkojnë ndihmë dhe kompensimin e dëmeve materiale. Të njëjtin fakt pohojnë edhe tregtarët, të cilët sa herë që bie shi pësojnë dëmtime. Ata kanë protestuar disa herë, por ende nuk është gjetur një zgjidhje. Vetëm pak ditë më parë, si pasojë e reshjeve të shumta, Gjanica doli nga shtrati i saj, duke sjellë përmbytje të mëdha në disa lagje të qytetit të Fierit.     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›