E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë ose borxhet, si mund t’i merrni me sa më pak shpenzime



Ervin KOÇI

Kreditë dhe të gjitha format e tjera të huave që qytetarët ose subjektet e ndryshme marrin kundrejt një përqindjeje interesi, në vetvete përbëjnë një borxh për atë e merr. Një pyetje e rëndësishme që çdo individ apo subjekt duhet t'i drejtojë vetes kur hyn në borxh, është: “Nëse shuma e marrë po krijon një borxh të mirë apo të keq?”. Borxh i mirë konsiderohet në ato raste kur huaja merret për diçka së cilës do t'i rritet vlera me kalimin e kohës. Për shembull, blerja e një prone të patundshme, hapja e një biznesi ose marrja e huas për qëllime edukimi, konsiderohen si arsye të mira për të hyrë në borxhe. Veçanërisht, huat për qëllime edukimi konsiderohen si borxh i mirë, sepse në të ardhmen një edukim më i mirë do të rriste të ardhurat tuaja. Ndërsa, “borxh i keq” konsiderohet atëherë kur ju merrni një veprim të pamatur financiar dhe nuk jeni në gjendje ta shlyeni huan brenda afatit të caktuar. Në rast se ju duhen para për të rikonstruktuar shtëpinë dhe mendoni se përgjigjja është kredia për shtëpi, konsiderojini edhe një herë të gjitha mundësitë tuaja. Në qoftë se nuk jeni në gjendje të kryeni pagesat e kërkuara, atëherë ju mund të humbisni shtëpinë tuaj, të cilën e keni përdorur si garanci për të siguruar kredinë që keni marrë. Është e rëndësishme të mos lejoni askënd të përpiqet t'iu mbushë mendjen që të përdorni shtëpinë tuaj si garanci për të marrë një hua, të cilën nuk do të jeni më në gjendje ta paguani. Për të pasur zgjidhjen më të mirë duhet të njiheni me atë çfarë ofron tregu, cilat janë institucionet që ofrojnë kredi dhe cilat janë kushtet specifike të tyre. Mënyra më e mirë do të ishte kontaktimi me disa huadhënës, duke përfshirë bankat, shoqëritë e kursim-kreditit apo dhe fondacione të mikrokredisë.

Kredimarrësit

Më shumë se 34 për qind e shqiptarëve që kanë nevojë për hua nuk u drejtohen bankave, por tregut të zi. Shifra ka dalë nga një anketë që Banka e Shqipërisë ka bërë për borxhin e familjeve, nga ku mësohet se 68 për qind e kredimarrësve u drejtohen bankave dhe institucioneve të tjera, jo banka, por të licencuara për këtë qëllim. Ndërsa pjesa tjetër, që është plot 34%, përdorin tregun e zi për kreditim, ku shpeshherë janë marramendëse. Shpeshherë bankat dhe institucionet e tjera të kreditit nuk janë aq të shpejta për të plotësuar nevojat emergjente të një individi për hua. Të marrësh kredi në banka duhen plotësuar disa procedura dhe shpeshherë këto shoqërohen me një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, konsumatorët shpeshherë kanë nevojë për pagesa emergjente, për shlyerjen e të cilave nuk mund të sigurojnë likuiditete nga bankat. Kjo çon në kredimarrjen në të zezë, duke krijuar kështu një hendek në tregun financiar që nuk ka mundësi të kontrollohet dhe as të mbikëqyret.

Debitorët

Nga anketa e BSH-së rezulton se rreth 67% e familjeve shqiptare janë në borxh me bankat. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë kredi pranë bankave, ndërsa pjesa tjetër overdraft, ose përdorin karta krediti. Pyetësori mbi borxhin e familjeve synon të marrë të dhëna suplementare për nivelin e borxhit, peshën e shlyerjeve të borxhit në të ardhurat familjare, monedhën e emetimit, llojin e borxhit, si dhe karakteristika të tjera të kredimarrësve. Sipas bankës, analiza e të dhënave të këtij pyetësori shërben për të identifikuar peshën e faktorëve të ndryshëm të rrezikut të kredisë për familjet dhe zhvillimin e tyre në kohë. Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare përbëhen nga tre ose katër persona, konkretisht 59.38% e tyre. Ndërsa 28.13% e tyre kanë në përbërje pesë ose më shumë persona. Vetëm një ose dy persona janë burimi kryesor i të ardhurave në familje, çka do të thotë se vetëm ata janë në marrëdhënie pune, rreth 53.12% e familjeve dhe pjesa më e madhe e tyre janë të punësuar në sektorin privat. Rezultatet japin një pasqyrë të saktë në lidhje me mikroekonominë, duke i dhënë bankës të njohë më nga afër rreziqet që mund t’i kanosen sistemit bankar.

BOX//////////////////
Shpenzimet, nga sigurohen burimet e të ardhurave

Të flasësh se sa shpenzon është shumë e lehtë për cilindo, por të tregosh burimin e të ardhurave, shpesh është më e vështirë dhe shumë komplekse. Por Banka Qendrore e vendit është përpjekur që me anë të disa anketave të thjeshta të tregojë burimet kryesore të të ardhurave të shqiptarëve. Rreth 43 për qind e të anketuarve i marrin të ardhurat nga puna që kryejnë në sektorin privat, ndërsa 31 për qind i marrin të ardhurat nga sektori publik. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe pensionistët, përveçse rrogëtarëve të administratës publike. Anketa e BSH-së zbardh edhe një aspekt tjetër, nëpërmjet të cilit mësohet se vetëm rreth 3.5 për qind, e burimit të të ardhurave janë emigrantët, ndërsa 7 për qind e të anketuarve i kanë të kombinuara të ardhurat, si nga sektori publik ashtu dhe nga ai privat. Komponenti kryesor përbërës i të ardhurave familjare, janë të ardhurat e rregullta nga puna dhe zënë dy të tretat e tyre. Sipas matjeve të INSTAT-it, të ardhurat nga transfertat, kryesisht private, si dhe nga emigracioni, zënë 10 për qind të të ardhurave familjare gjithsej. Komponentë të tjerë në të ardhurat e shqiptarëve janë të ardhurat nga pronat, pensionet etj. Shpërndarja e tyre është e ndryshme midis tipave dhe madhësive të ndryshme të familjeve. Për familjet me një dhe dy fëmijë, burim kryesor për të ardhurat gjithsej janë të ardhurat nga puna, të cilat zënë mbi tre të katërtat e tyre. Në përgjithësi, të ardhurat nga puna përbëjnë më shumë se dy të tretat e totalit të të ardhurave familjare.

4 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›