E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë, sa 15 për qind e depozitave

07/01/2005  Ekonomia ka mundur të thithë gjatë vitit të fundit rreth 300 milionë dollarë investime të huaja, por ajo ka vazhduar të mbetet një ekonomi e mbytur nga informaliteti dhe me nivele të ulëta kreditimi. Jo vetëm kaq, por defiçiti tregtar vazhdon të llogaritet me miliard lekë dhe raporti import–eksport vazhdon të jetë i zhdrejtë. Analiza vjetore e Ministrisë së Ekonomisë ka përmendur edhe këto anë negative së bashku me arritjet e 2004-ës. Marrëveshjet koncensionare, privatizimet dhe zbatimi i MTL–ve, janë konsideruar si suksese nga ministri Angjeli. Kështu, ministri ka preferuar të kujtojë mes shumë faktesh dhe renditjen e Shqipërisë në Indeksin 2005, përpara pjesës më të madhe të vendeve të Ballkanit. Përpara shumë vendeve të Ballkanit, Shqipëria ndodhet edhe për sa i takon informalitetit. Shtimi me 6 mijë subjekte në biznesin e vogël, nuk e ka reduktuar aspak nivelin rreth 50 për qind të informalitetit në ekonomi.

Kreditimi

Bizneset e vogla e të mëdha mbahen në këmbë me paratë që mundën të sigurojnë nga aktiviteti ose huatë, por jo ato bankare. Bankat vazhdojnë të hezitojnë të kreditojnë ekonominë, duke patur parasysh nivelin e lartë të riskut. Nga ana tjetër, ekonomia rezulton të ketë nivelin më të ulët të kreditimit në Rajon. Sipas ministrit Angjeli, ky nivel në 2004-ën ka qenë rreth 15 për qind, në një kohë kur në vendet fqinje llogaritet në 35 për qind e lart. “Duke marrë parasysh faktin se raporti kredi-depozita nuk e kalon kufirin 15-16%, pra 15-16 lekë kredi për 100 lekë depozita, çka përbën një normë të ulët, veçanërisht në degën e bujqësisë, e cila jep gati 24% të PBB-së, krahasuar me vende të tjera të rajonit”, ka deklaruar Angjeli në fjalën e tij në analizën vjetore të Ministrisë së Ekonomisë. Kontradikta mes rritjes së bizneseve të vogla e të mesme dhe nivelit të ulët të kreditimit, vjen si pasojë e problemeve që kalon ekonomia dhe reflektohet në treguesit e saj. Kështu niveli i evazionit fiskal dhe mungesa e transparencës së firmave private, e bën bankën mosbesuese. Por nga ana tjetër, edhe kur bankat tregohen të gatshme të japin kredi, bizneset hezitojnë, pasi nuk mund të përballojnë interesat e larta me të cilat ofrohet shpeshherë një kredi. Të gjitha këto kanë bërë që në sektorin e bujqësisë kreditimi të jetë pothuajse zero dhe fermerët të prezantohen me një nivel tejet të ulët në teknologjitë e prodhimit dhe në marketing.

Informaliteti

Pas një kërkese të Qeverisë drejtuar OECD, kjo e fundit bëri një sondazh të hollësishëm mbi përqindjen e informalitetit të ekonomisë shqiptare, duke nxjerrë në fund një përfundim të hidhur. “Më shumë se gjysma e firmave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, rezultojnë se janë informale”, ka deklaruar eksperti i OECD–së. Ekspertët kanë tejkaluar parashikimet e qeverisë në lidhje me informalitetin, duke e shtuar me të paktën 20 për qind masën e informalitetit në vend. Me këtë shifër, Shqipëria rreshtohet në top listën e vendeve me përqindjen më të lartë të informalitetit të ekonomisë në Evropën Juglindore. Masa e lartë e informalitetit është vetëm një nga statistikat shqetësuese. Duket se firmat që operojnë në Shqipëri, kanë më shumë dëshirë të jenë pjesë e ekonomisë së zezë, se sa të ligjshëm. „Shumë nga firmat e pyetura kanë treguar se dëshirojnë të mbeten në sektorin informal, pasi kështu i shpëtojnë presionit të sistemit fiskal dhe taksave të tjera, si sigurimet shoqërore etj.“ ka deklaruar përfaqësuesi i OECD–së. Sipas OECD-së, qeveria duhet të marrë masa urgjente për të reformuar jo vetëm sistemin fiskal, por dhe administratën që e zbaton atë, në mënyrë që të krijojë më shumë hapësira pune për firmat private. „Eshtë shumë e vështirë të bësh një llogaritje të shkallës së informalitetit në raport me PBB-në, sepse pjesa më e madhe e firmave nuk deklarohen“, ka deklaruar eksperti i OECD–së. Ky fakt është pranuar dhe nga ministri i Ekonomisë, Angjeli, i cili ka justifikuar shqetësimin e qeverisë për të reduktuar informalitetin në ekonomi, duke kërkuar pikërisht ndihmën e OECD–së, për ta konstatuar qartë atë. Raporti i përgatitur nga OECD-ja është akoma në fazën e përpunimit dhe i është dhënë institucioneve qendrore që kanë lidhje direkte me ekonominë. Ky raport konkludon me disa rekomandime, të cilat duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga ana e administratës shqiptare, për të përmirësuar marrëdhëniet me komunitetin e biznesit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›