E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet vendimin i statusit të veteranit për Enver Hoxhën

07/01/2005  Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ka rrëzuar vendimin e Komisionit për Statusin e Veteranit, mbi akordimin e këtij statusi Enver Hoxhës. Madje, në këtë vendim, Majko është shprehur se komisioni ka bërë një shkelje flagrante, pasi ka marrë një vendim kur nuk ishte plotësuar dokumenti i plotë. Burimet kanë bërë të ditur se bashkëshortes së ish- diktatorit, i ishte kërkuar që të paraqiste të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, para mbylljes përfundimtare të dosjes. Por deri në momentin kur vendimi i Komisionit i shoqëruar me dosjen përkatëse, i është dorëzuar ministrit të Mbrojtjes, që është hallka e fundit për marrjen e statusit, dokumentet nuk ishin të plotësuara. Burimet thanë se në dosjen përkatëse mungonte dhe kërkesa përkatëse. Ndaj dhe Majko ka rrëzuar vendimin e komisionit, duke mos pranuar t'i japë statusin Enver Hoxhës. Kjo jo në bazë të meritave apo idesa se Hoxha persekutoi shqiptarët për 40 vjet, por nga fakti se ligji është i barabartë për të gjithë dhe duhet respektuar.

Vendimi

"Komisioni Qendror i Statusit të Veteranit të LANÇ në mbledhjene fundit mori vendimin që të nisë procedurat për marrjen e këtij statusi për Enver Hoxhën, ndërsa dëshmia përkatëse t'i dorëzohej të interesuarës në momentin që kjo e fundit do të paraqiste kërkesën. Bazuar në ligjin për "Statusin e Veteranit të Luftës Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar", të interesuarit nuk i kanë paraqitur këtij komisioni dokumentacionin e nevojshëm sipas kërkesave ligjore. Sapo është njohur me këtë shkelje, ministri i Mbrojtjes ka vendosur shfuqizimin e vendimit të Komitetit Qendror të Statusit të Veteranit të LANÇ. Ligji është i barabartë për të gjithë", thuhet në vendimin e marrë dje prej Pandeli Majkos. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur se çfarë mase do të merret për komisionerët që kanë marrë një vendim pa e pasur të plotë dosjen përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›