E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademiket nje sygjume per Buzukun

08/01/2005  Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit.

Ky meshar i thjeshtë i Gjon Buzukut, që përktheu në shqip Shkrimin e Shenjtë, tregon se nisi veprën plot 450 vjet më parë, pikërisht më 20 mars 1554, dhe e përfundoi më 5 janar 1555.

Akademikët një sygjumë për Buzukun

Më 1740 kleriku nga Gjakova, Gjon Kazazi, pa me habi të madhe dhe u trondit nga zbulimi që sapo bëri në bibliotekën e kolegjit të propagandës së Fesë, në Romë, ku kishte studiuar vite më parë. Kishte gati dy shekuj, krejt në rrethana të pandriçuara, që libri i Gjon Buzukut “Meshari” kishte rënë në harresë të plotë.

Në vitin 1955, tanimë me famën nga Akademia e Shkencave, në një sesion të posaçëm shkencor, shkrimet e shenjta në shqip kujtohen nga Akademia e Shkencave. Atëherë përkonte me 400-vjetorin e përfundimit të meshtarit të thjeshtë.

Këtë vit, më saktë dy ditë më parë, ky libër që kleriku Kazazi e pat përshkruar fort të lashtë, krejt i grisur prej vjetërsisë, do të shënonte një përvjetor tjetër, 450 vjet nga koha e përkthimit në shqip.

Vetëm nëpër media u bë “ringjallja” e “Mesharit”. Kronikë spontane në një nga televizionet, duke fokusuar gjuhëtarin Seit Mancakun. Ndonëse data 5 e ditës së mërkurë shënonte nisjen e punës për administratën, nëpër zyrat e Akademisë së Shkencave vazhdonte apatia e zakonshme e ditëve të javës.

Të paktën në rang institucional, i një niveli të lartë shkencor, siç është Akademia, diçka duhej të gëlonte për meshtarin e thjeshtë të shkruar në shqip, që mbushi 450 vjet. Disa muaj më parë, një nga profesorët, ndoshta më aktivi i Akademisë, pat thënë se viti 2005 pritet të shpallet viti i Buzukut.

Madje, disa zëra thonin se do të bëhej dhe një sesion i madh shkencor. Por kur? Sot është data 7 janar dhe akademikët nuk kanë lëvizuar nga kolltuku i tyre.

Për Buzukun ende flitet se studimet janë larg cakut, duke u shteruar studimet mbi veprën. Janë vetë akademikët që e pohojnë këtë, duke iu referuar vetëm studimeve të Çabejt dhe botimit të Selman Rizës.

“Por, problematika dhe temat lidhur me Buzukun dhe ‘Mesharin’ e tij nuk janë shteruar, madje, janë ende larg cakut të dëshiruar”, thotë gjuhëtari Emil Lafe.

Katërqindvjetori i botimit të “Mesharit” më 1955-ën u përkujtua me një sesion shkencor të organizuar nga Instituti i Shkencave, pasardhëse e të cilit është Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Me atë rast u vendos që të përgatitej një botim kritik i saj, më të hershmes vepër në gjuhën shqipe dhe me këtë detyrë u ngarkua Eqerem Çabej. Ndonëse ky botim kritik, një punë e pashoqe tekstologjike, u përgatit më 1958-ën, vepra në dy vëllime dhe e pajisur me një studim hyrës, u shtyp pas dhjetë vjetësh në Rumani, falë bujarisë dhe dashamirësisë së Akademisë së Shkencave të Rumanisë, që vlerësoi rëndësinë e librit dhe punën e kolegut të çmuar shqiptar.

Përgatiti: V.Murati

Cilët “ishin” studiuesit e “Mesharit”

E.Çabej bëri transliterimin e teksit, d.m.th. e rishkroi atë me alfabetin e sotëm dhe transkriptimin e tij, d.m.th. vendosi vlerat fonetike të shkronjave të përdoruara nga Buzuku, rindërtoi si të thuash formën tingullore të këtij teksti në kohën që u shkrua dhe e pajisi me shënime tekstologjike e filologjike të hollësishme. Ndërkaq, edhe filologu Namik Resuli në Itali, i kishte hyrë punës së ribotimit të Buzukut dhe më 1958-ën, libri i tij, që përmban fotokopjen dhe transkriptimin, pa ndonjë hyrje studimore, doli nga shtypi. Me një punë të stërmundimshme mbi njërën nga kopjet që pati sjellë më 1929-ën në Shqipëri, Justin Rrota, filologu shkodran, Kolë Ashta, nxori fjalorin e plotë të veprës së Gjon Buzukut, që u botua fillimisht pjesë-pjesë te “Buletini i Institutit Pedagogjik të Shkodrës” dhe më 1996-ën në një vëllim të veçantë. Studimit të gjuhës së Gjon Buzukut iu kushtua për disa vjet edhe Selman Riza, duke e pasuruar këtë fushë të gjuhësisë sonë me ide të reja. Por, problematika dhe temat lidhur me Buzukun dhe “Mesharin” e tij nuk janë shteruar, madje, janë ende larg cakut të dëshiruar.

Ku u shtyp “Meshari”

Mjaft diskutime janë bërë për vendin ku u shtyp “Meshari”. Një palë mendojnë se shtypshkronja do të ketë qenë diku në Shqipërinë Veriperëndimore (Shkodër, Ulqin, Tivar a në rrethina të tyre. Një palë tjetër mendojnë se në qytetet e bredgetit shqiptar nuk mund të ketë pasur ndonjë shtypshkronjë të përshatshme për të shtypur një libër të tillë dhe veç kësaj, aso kohe, në Perandorinë Osmane shtypja e librave ishte e ndaluar me dënim me vdekje. Gjurmuesi frëng i teksteve të vjetra shqipe, Mario Rok, pati vënë re se letra e librit është italiane dhe shkronjat janë të tipit që përdorej në shtypshkronjat e Venedikut. Në këtë qytet mendohet, përgjithësisht, se ka qenë shtypshkronja ku u shtyp “Meshari”. Zgjidhja e enigmës së botimit ka qenë sigurisht në ballinën e zhdukur përgjithmonë të librit. Por, gjithsesi, për një gjë jemi të sigurt: tipografët nuk dinin shqip (nuk ishin shqiptarë) dhe shtypshkronja nuk ka qenë larg nga vendi ku shërbente Buzuku. Në Pasthënie ai thotë se ata që shtypnin, mundoheshin shumë me librin e tij dhe ai nuk mund t’u rrinte pranë përherë, pasi duhej të mbante edhe një kishë, e kështu të shërbente më dy anë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›