Malaj “sulmon” Petrollarin
08/01/2005 Realizimi i suksesshëm i të ardhurave tatimore është zbehur nga kritikat e ashpra të ministrit të Financave, në lidhje me punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në qendër të kritikave kanë qenë drejtori i Përgjithshëm, Petrollari dhe të gjithë vartësit e tij, që, sipas Malajt, nuk kanë ditur të përmirësojnë marrëdhëniet me biznesin, kanë dështuar në mbledhjen e të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe kanë mbushur xhepat e tyre, duke toleruar bilance kontabël të retushuara. “Ekipi drejtues i tatimeve, duke përfshirë drejtorin e Përgjithshëm, zv.drejtorët dhe drejtorët e drejtorive, kanë qenë hezitues për të ndërmarrë hapat e nevojshme të reformës”, ka deklaruar Malaj. Duket se dy drejtuesit nuk janë marrë vesh në fjalimet e tyre, pasi, ndërsa Malaj ka kritikuar për marrëdhënie të dobëta të administratës me biznesin, Petrollari ka deklaruar se ka mundur t’u shërbejë më mirë tatim-paguesve dhe ndryshuar mentalitetin e punonjësve të vet. “Marrëdhëniet administratë-biznes janë ende larg së qeni niveleve të dëshiruara për një administratë moderne, që vihet totalisht në shërbim të taksapaguesve dhe që, nga ana tjetër, krijon një ambient parandalues dhe penalizues për çdo element evazioni apo korruptiv”, ka qenë kritika e Malajt. Por përballë ministrit Malaj, Petrollari ka vlerësuar stafin me të cilin punon. ”Ne kemi realizuar planin, duke thelluar procesin e ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të administratës dhe duke u fokusuar më shumë në plotësimin sa më të shpejtë të nevojave të tatimpaguesve», ka deklaruar Petrollari në kundërshtim me ministrin Malaj. Por marrëdhëniet me biznesin nuk kanë qenë kritika e vetme e ministrit të Financave në adresë të tatimorëve. “Rimbursimi i TVSH-së vazhdon të mbetet ende një problem, për të cilin nga ana e administratës suaj nuk është bërë përmirësim konkret”, ka deklaruar Malaj, duke kujtuar se për faj të tatimorëve, bizneset që merren me eksporte kanë mbetur pa likuiditete. Akuzat e ministrit të Financave kanë shkuar dhe më tej, kur ka kujtuar përpara drejtuesve të administratës tatimore, jo vetëm paaftësinë, por dhe pranimin e evazionit fiskal, me qëllimin e pëfitimeve personale. “Ky informalitet ‘formalizohet’ nga inspektorët tanë të vlerësimit dhe kontrollit, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit rrjedhje të konsiderueshme në këmbim të rritjes së të ardhurave në buxhetet personale”, ka akuzuar Malaj. Ata që bashkëpunojnë me tatimorët e korruptuar, janë subjektet që regjistrohen si biznese të vogla, në një kohë që realizojnë një xhiro në shifra shumë të larta. “Të tilla janë veprimtaritë e tregtimit me shumicë, importimit dhe tregtimit të mallrave, ndërtimit, në të cilat norma e fitimit nuk është në ato të paraqitura apo deklaruara në bilance”, ka deklaruar Malaj. Në kundërshtim me deklaratat e Petrollarit, Malaj ka deklaruar se, administrata është e mbushur me të paaftë, por fajtor për mbajtjen e tyre në punë janë drejtuesit. “Ka keqpërdorim individual deri te nivelet drejtuese për emërime abuzive në administratën tatimore”, tha ministri Malaj. Ministri i Financave u ka dhënë tatimorëve një shembull të stimulit dhe vlerësimit të punonjësve të aftë, ashtu sikurse u ka treguar rrugën për ata që nuk kalojnë tre provat e tatimorëve. “Kushdo që nuk fiton testin e parë, nuk bën karrierë dhe nuk përfiton shpërblim, kush nuk kalon testin e dytë, paralajmërohet për largim nga administrata tatimore dhe kush nuk kalon testin e tretë për mungesë aftësie profesionale, humbet vendin e punës”, ka thënë Malaj para tatimorëve. Të gjitha këto akuza, ministri i Financës i ka bërë në një kohë kur drejtori i Tatimeve, Petrollari, sapo kishte deklaruar se administrata ka shënuar në 2004-ën nivelin më të ulët historik të shpenzimeve. ”Kosto e mbledhjes së tatimeve ka qenë më e ulëta historike, duke shpenzuar vetëm 2.8 lekë për çdo 100 lekë të grumbulluara”, ka deklaruar Petrollari. Kështu në 2004-ën, nga 66 miliardë lekë të grumbulluara, janë harxhuar 2 miliardë lekë.