Kreditë, të arrestuarit mohojnë akuzat
Tre të arrestuarit për abuzime me kreditë nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre, duke i kundërshtuar ato dhe duke u mbrojtur me idenë se nuk ka asnjë provë implikuese ndaj tyre. Menjëherë pas arrestimit të realizuar nga forcat operacionale të antikorrupsionit, tre të dyshuarit janë marrë në pyetje nga strukturat speciale për të dokumentuar veprën penale të korrupsionit, për të cilën ata akuzohen. Por, Artan Gjuzi, me profesion jurist, nuk e ka pranuar një akuzë të tillë. Ai ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore që ky ishte një gabim që bëhej ndaj tij, pasi nuk ishte i implikuar në ndonjë aferë abuzimi me kreditë e bankave. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe dy të arrestuarit e tjerë, duke u shprehur se nuk kishin kryer ndonjë vepër penale. Megjithatë, policia ka deklaruar se ka prova dhe përgjime të mjaftueshme për dokumentimin e veprës penale të kryer prej Artan Gjuzit, Eli Agajt dhe Ardi Agollit. Ndërsa ish-oficerja e kredive, Agaj, ka deklaruar se në përgjime mund të jenë vetëm bisedat që ajo ka kryer me kreditorët, ashtu siç e kërkonte detyra, kur punonte në bankë, e cila ka bërë kallëzimin në polici. Megjithatë, këto deklarata do të rivlerësohen sot ose nesër në Gjykatën e Tiranës, ku tre të arrestuarit priten të dalin para togave të zeza për t‘u njohur me masën e sigurisë. Sipas hetimeve, të arrestuarit dyshohen se kanë nxjerrë kredi me vlerë nga 400 mijë deri në 1.2 milionë lekë, kundrejt përfitimit të tyre, të paligjshëm, duke variuar nga 50 mijë deri në 200 mijë lekë për çdo rast të nxjerrjes së kredisë.