E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magazina për ndihmat e më shumë klor në ujë

Në Gërdec janë vënë së fundi në gatishmëri të plotë disa magazina për pritjen dhe sistemimin e ndihmave, ndërsa është ngritur komisioni i shpërndarjes së ndihmave, sipas listave që po hartohen nga komisioni i evidentimit të familjeve në nevojë. Nga ana tjetër, Komisioni Ndërministror i Emergjencave Civile po bashkëpunon me Drejtorinë e Shërbimit Shëndetësor të Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimet për të mbajtur në gatishmëri grupe specialistësh nga Inspektorati Sanitar e Shëndetësor, për të ndërhyrë në rast se do të shfaqen probleme të infeksioneve të ndryshme në zonën e shpërthimit në Gërdec. Janë shtuar dozat e klorifikimit të ujit të pijshëm dhe po tregohet kujdes në kryerjen e dezinfektimit të zonës, djegies dhe groposjes së një sasie shpendësh dhe kafshësh të ngordhura. Ditët e fundit, ambientalistët lëshuan alarmin për nivelin e ndotjes në Gërdec, për shkak të shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve. Sipas tyre, shtëpitë në fshatin Gërdec duhet të ndërtohen, pasi të jetë pastruar toka. Ambientalistët theksuan gjithashtu se shpërthimi i mijëra tonëve predha ka shpërndarë në tokë mbetje kimike dhe metale të rënda, që shkaktojnë sëmundje kancerogjene dhe mutagjene në bime e njerëz.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›