Arrestohen tre persona, shisnin drogë tek ish-Blloku
Tre persona kanë përfunduar në prangat e antidrogës së kryeqytetit, pasi dyshohen se shpërndanin heroinë te përdoruesit që frekuentojnë lokalet e ish-Bllokut. Policia e Tiranës ka bërë arrestimin e Dorian Lecit, Sadrino Nikës dhe Albion Goxhajt gjatë operacionit të koduar "Ura e vogël", siç quhet edhe vendi ku ata u kapën. Sipas burimeve zyrtare të policisë, seksioni i luftës kundër drogës, në bashkëpunim me sektorin e operacioneve speciale dhe kërkimit, realizoi arrestimin në flagrancë të tre shtetasve, të cilët u kapën duke shitur lëndë narkotike. Policia deklaroi më tej se ata akuzohen se kanë konsumuar veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike". Sipas uniformave blu, nga grupi i punës, pas një hetimi dymujor investigimi, u realizua me sukses operacioni i koduar "Ura e vogël". Gjatë këtij operacioni u arrestuan Dorjan Besnik Leci, 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe mbajtje të lëndëve narkotike, Sadrino Stafi Nika, 25 vjeç dhe Albion Hajri Goxhaj, 18 vjeç, të gjithë lindur dhe banues në Tiranë, deklaroi zyrtarisht policia e kryeqytetit. Më tej, burimet policore thanë se bazuar në grumbullimin e saktë të informacioneve të disponuara dhe provave materiale të grumbulluara, u realizua kapja e arrestimi i tyre. Dy ditë më parë, policia është vënë në lëvizje për të bërë goditjen ndaj tre persona të hetuar. Kështu, të sipërcituarit kanë shkuar në rrugën "Vaso Pasha" në Tiranë për të tregtuar lëndë narkotike. Ata janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e antidrogës, derisa kanë nisur për t‘u shitur heroinë shtetasve të ndryshëm. Këtë aktivitet, ata e kanë kryer në të gjithë zonën e ish-Bllokut në Tiranë, duke përdorur një motor, me të cilin qarkullonin për të dërguar lëndën narkotike në destinacionin e kërkuar. Pas arrestimit të tyre, policia shpjegoi se pas një shtrirje të gjerë të një hetimi intensiv, u konkludua se të lartpërmendurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të organizuar në veprimet e tyre, shpërndanin në të gjithë zonën e ish-Bllokut lëndë narkotike të llojit heroinë, veprim të cilin e kryenin për një periudhë të gjatë kohore, relativisht 8-mujore. Megjithatë, aktiviteti i tyre i paligjshëm ka marrë fund me arrestimin e të tre protagonistëve. Më tej, policia shpjegoi se kreu veprimet hetimore e procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 36.6 gramë heroinë, 5 celularë dhe motori me të cilën shpërndahej droga. Sipas grupit hetimor vazhdon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij grupi kriminal.